Në një kohë kur bota po përpiqet të adresojë sfidat e dezinformimit dhe manipulimit të opinionit publik, rajoni i Ballkanit vazhdon të jetë një terren pjellor për retorika që përziejnë mitet historike, ndjenjat fetare dhe nacionalizmin për të ndërtuar një realitet paralel – veçanërisht kur bëhet fjalë për Kosovën.
Një shembull i fundit i kësaj prirjeje është deklarata e Mitropolitit të Malit të Zi, Joanikije, i cili në një mesazh me rastin e Pashkëve, i quajti “terroristë” shqiptarët e Kosovës.
Ai dezinformoi për serbët në Kosovë, duke akuzuar autoritetet kosovare për siç dezinformoi ai, “persekutim të vazhdueshëm”, “vjedhje prone”, “dhunë të papërgjegjshme” dhe “terror nga shqiptarët”.
Në këtë mesazh, Kosova përshkruhet si një “Palestinë serbe”, ndërsa synon të portretizojë serbët si viktima të një përndjekjeje të vazhdueshme fetare dhe etnike. Retorikë kjo që injoron realitetin e përpjekjeve të institucioneve të Kosovës për të respektuar të drejtat e komuniteteve jo-shumicë, përfshirë serbët, dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me komunitetin ndërkombëtar për të ndërtuar një shoqëri më gjithëpërfshirëse.
Ani pse fjalimi përfundon me thirrje për paqe, dashuri dhe solidaritet, ai mbart mesazhe të qarta të përçarjes dhe tendencës për të krijuar ndasi në një rajon të ndjeshëm dhe me histori të dhimbshme.
“Kur flasim për shkeljen e të drejtave fetare dhe të të drejtave të tjera të njeriut, ne jemi të detyruar t’i kushtojmë vëmendje kërcënimit të kahershëm ndaj popullit serb në Kosovë nga autoritetet e Prishtinës. Në atë tokë të premtuar, siç quhej Palestina serbe, serbët ortodoksë ende vuajnë dhunën dhe vjedhjen e pronave, arrestimet e paprovokuara dhe frikësimet e përditshme. Me gjithë rezolutat dhe marrëveshjet që vlejnë në letër, në praktikë ato mbeten pa asnjë siguri juridike. Këtë e dëshmojnë shumë vrasje të pazbardhura, përndjekje, rrahje, grabitje dhe dhunë të tjera të kryera pa u ndëshkuar nga terroristët shqiptarë kundër serbëve në Kosovë gjatë 26 viteve të fundit. Megjithatë, me gjithë padrejtësitë që pësojnë çdo ditë, ata qëndruan besnikë ndaj shenjtoreve të tyre dhe vatrave të etërve të tyre, duke duruar padrejtësitë dhe vuajtjet për hir të Krishtit. Është një ngushëllim i madh për ne që besimtarët nga Mali i Zi janë gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar dhe përkrahur në çdo mënyrë vëllezërit dhe motrat tona në Kosovën e kryqëzuar dhe se janë të përkushtuar me gjithë zemër ndaj faltoreve të mëdha në atë tokë të shenjtë serbe. Duke vepruar kështu, ne ndjekim mësuesit tanë më të mëdhenj, Shën Pjetrin e Cetinjës, Njegoshin, Mbretin Nikolla dhe të bekuarin e ndjerë Mitropolitin Amfilohije”, pretendoi ai.
Retorika e Joanikijes përpiqet të lidhë fatin e serbëve në Kosovë me çështje të brendshme në Mal të Zi, siç është debati mbi rikthimin e arsimit fetar në shkolla publike.
“Ditët e fundit, në publikun malazez është zhvilluar një polemikë rreth rikthimit të arsimit fetar në shkollat fillore dhe të mesme, gjë që kundërshtohet nga avokatë të shquar të të drejtave të njeriut dhe mbrojtës të dyshuar të një Mali të Zi civil dhe laik. Lidhur me këtë çështje të rëndësishme, ju kujtojmë të gjithë pjesëmarrësve në këtë polemikë se Mali i Zi përparoi më shpejt në çdo aspekt dhe arriti reputacionin më të lartë ndërkombëtar derisa kishte arsim fetar në shkollat e tij. Përveç kësaj, e drejta për arsim është një e drejtë themelore e njeriut dhe nuk mund të respektohet nëse nuk përfshin edhe të drejtën për edukim fetar. Nëse Mali i Zi nuk është i përgatitur të respektojë të drejtat legjitime të të gjithëve, përfshirë edhe të qytetarëve të tij që duan që fëmijët e tyre të kenë arsim fetar në shkollat publike, siç është rasti në shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian, ai po minon sekularizmin e tij dhe po tregon se në këtë drejtim nuk është në gjendje të heqë dorë nga arritjet e errëta të sistemit totalitar komunist”, ka thënë ai.
/The Geopost

Raporti i CEPA-s: Rusia po zhvillon “luftë në hije” në Evropë, rritet rreziku i përshkallëzimit
Momçilo Gajiq, udhëheqësi i grupit serb që shkaktoi trazira në Evropë me urdhër të inteligjencës ruse, strehohet në Moskë
Kosova bashkë me vendet e tjera dënon sulmet iraniane në Ngushticën e Hormuzit
Deputeti i Bundestagut gjerman: Ndërhyrja e NATO-s në ’99-ën ndali gjenocidin e Millosheviqit në Kosovë
Ulja e orëve të gjuhëve të huaja në shkollat ruse si mjet militarizimi
“Nuk e bënë shqiptarët” – Si u vra Milosh Vlashkoviqi në Mazgit nga dy ushtarë serbë, teksa grabisnin shtëpitë në vitin 1999