Edhe pse të gjitha vendet që dënuan pushtimin rus të Ukrainës vendosën sanksione ndaj këtij vendi agresiv, si dhe ndaluan transmetimin e kanaleve ruse për të parandaluar përhapjen e propagandës, Serbia, e cila nuk mbështeti dhe as nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë, vazhdon të transmetojë kanalet e Federatës Ruse.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka komentuar sot ndalimin e punës së mediave ruse, “Sputnik” dhe “Russia Today”, si dhe transmetimin e tyre në Serbi, duke thënë se disa prej tyre duan t’i vendosin të gjithë ata që mendojnë ndryshe në kampe dhe t’i ndalojnë të gjitha mediat që flasin ndryshe.
“Është në rregull. Njerëzit i shohin të gjitha. Shumë njerëz kur flasin për liritë e mediave, mendojnë se liri e mediave do të thotë që vetëm ata të ekzistojnë, dhe të askujt tjetër”, tha presidenti serb Aleksandar Vuçiq.
Gjatë fjalimit të një eventi në Serbi, ai nuk përmendi se do të mbështeste sanksionet e BE-së kundër Rusisë, e as që do të ndalonte transmetimin e kanaleve ruse në Serbi.
Megjithatë, kryetari i Kuvendit të Serbisë ishte i qartë për çështjen e ndalimit të punës së televizionit “Russia Today” dhe “Sputnik” në mbarë Evropën. Ai tha se “është krejtësisht e papranueshme mbyllja e “Sputnik” dhe “RT” në vendet që eksportojnë vazhdimisht “liritë e tyre demokratike” në mbarë botën”.
Daçiq tha se Serbia nuk do ta bëjë këtë dhe nuk do të zbatojë , siç theksoi ai, “censura dhe ide pothuajse totalitare”.
Kreu i Komisionit të Pavarur për Media (KPM) në Kosovë, Faruk Rexhaj, vetëm pak ditë më parë tha se shumica e operatorëve të shpërndarjes, përkatësisht operatorëve kabllorë, i kanë hequr kanalet e Federatës Ruse nga transmetimi për të parandaluar përhapjen e propagandës dhe për të mbrojtur sigurinë në Kosovë.
KPM-ja kërkoi që të ndërpritet përkohësisht transmetimi i kanaleve televizive nga Rusia për të parandaluar përhapjen e propagandës dhe për të mbrojtur sigurinë publike. Këto janë kanalet Russia Today (RT), Rusia 24 dhe Planeta RTR.
Ndalimi i transmetimit të kanaleve të Federatës Ruse u mirëprit nga të gjitha vendet që kundërshtuan agresionin rus. / The Geopost /

Mojsilloviq dezinformon për marrëveshjen mes Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë
Raporti i CEPA-s: Rusia po zhvillon “luftë në hije” në Evropë, rritet rreziku i përshkallëzimit
Portal Novosti shpërndan propagandë: Marrëveshja mediatike shpallet “pakt kundër serbëve”
Mediumi serb manipulon për ushtarët amerikanë të KFOR-it: Nga interesi për ortodoksinë në pranim të fesë
Momçilo Gajiq, udhëheqësi i grupit serb që shkaktoi trazira në Evropë me urdhër të inteligjencës ruse, strehohet në Moskë
Kosova bashkë me vendet e tjera dënon sulmet iraniane në Ngushticën e Hormuzit