Shtetet e Bashkuara të Amerikës u kanë thënë Kombeve të Bashkuara se kanë informacione të besueshme për planet që forcat ruse po krijojnë “lista të ukrainasve të identifikuar që do të vriten ose do të dërgohen në kampe”, nëse Rusia vendos që ta pushtojë vendin.
Sipas Washington Post, letra dërguar shefes së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut Michelle Bachelet, citon sjelljen e Rusisë në pjesë të Ukrainës që ajo tashmë i ka pushtuar dhe thotë se informacionet e fundit sugjerojnë se po planifikohen abuzime të mëtejshme, të cilat më parë kanë përfshirë “vrasje të synuara, rrëmbime/zhdukje me forcë, ndalime të padrejta dhe përdorim të torturës”.
“Ne jemi thellësisht të shqetësuar lidhur me shkeljet e vazhdueshme të të drejtave të njeriut nga Rusia në pjesët tashmë të okupuara të Ukrainës, dhe kemi arsye të besojmë se këto shqetësime do të shumëfishohen në rast të një ofensive të re ushtarake”, thuhet në letrën e ambasadores amerikane në OKB, Bathsheba Nell Crocker.
Në shënjestër, sipas letrës, do të ishin edhe disidentët rusë dhe bjellorusë që ndodhen në ekzil në Ukrainë, gazetarët dhe aktivistët e tjerë.
“Posaçërisht, ne kemi informacione të besueshme që tregojnë se forcat ruse po krijojnë një listë të ukrainasve për t’i vrarë ose për t’i dërguar në kampe pas pushtimit ushtarak”, vijon letra.
Crocker tha se Shtetet e Bashkuara kanë informacione se ushtria ruse do të përdorte metoda vdekjeprurëse për të shtypur protestat ose për të shtypur “ushtrimet paqësore të rezistencës nga popullsia civile”.
SHBA-ja dhe zyrtarët e tjerë perëndimorë kanë akuzuar Rusinë se po planifikon që ta pushtojë Ukrainën. Moska mohon se ka plane të tilla, pavarësisht se ka grumbulluar mbi 150 mijë trupa pranë kufijve ukrainas. /The Geopost/

Mojsilloviq dezinformon për marrëveshjen mes Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë
Raporti i CEPA-s: Rusia po zhvillon “luftë në hije” në Evropë, rritet rreziku i përshkallëzimit
Portal Novosti shpërndan propagandë: Marrëveshja mediatike shpallet “pakt kundër serbëve”
Mediumi serb manipulon për ushtarët amerikanë të KFOR-it: Nga interesi për ortodoksinë në pranim të fesë
Momçilo Gajiq, udhëheqësi i grupit serb që shkaktoi trazira në Evropë me urdhër të inteligjencës ruse, strehohet në Moskë
Kosova bashkë me vendet e tjera dënon sulmet iraniane në Ngushticën e Hormuzit