Departamenti Amerikan i Shtetit përshëndeti ftesën e Serbisë për zgjidhjen diplomatike të krizës ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, duke theksuar se Rusia dhe Ukraina nuk janë njësoj, por se Moska është agresori, thuhet për Zërin e Amerikës.
Nga Beogradi zyrtar është dëgjuar në disa raste se Serbia është e përkushtuar për një zgjidhje diplomatike të krizës mes Rusisë dhe Ukrainës. Këtë e theksoi edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë (MPJS) në një deklaratë të fundit, duke thënë se një konflikt i mundshëm do të kishte ndikim negativ në politikën e jashtme të Beogradit, “duke pasur parasysh se bëhet fjalë për dy popuj sllavë, miq dhe vëllazërorë”.
MPJS tha gjithashtu se Serbia nuk është pjesë e konfliktit Rusi-Ukrainë.
“Ne mirëpresim thirrjen e Serbisë për një zgjidhje diplomatike dhe siç tha Presidenti Biden, Rusia duhet të zgjedhë diplomacinë për të shmangur luftën midis vendeve që janë kaq të afërta historikisht dhe kulturalisht. Shtetet e Bashkuara dhe NATO, si dhe partnerët, po punojnë shumë për të gjetur një zgjidhje diplomatike dhe mbeten të hapur ndaj diplomacisë konstruktive dhe serioze”, tha Departamenti i Shtetit.
Gjithashtu theksohet se “nuk ka barazi mes sjelljes së Ukrainës dhe Rusisë dhe se Rusia është agresore ndaj Ukrainës”.
Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë gjithashtu rekomandoi që qytetarët të mos udhëtojnë në Ukrainë, dhe ata që tashmë janë atje të largohen nga vendi.
Departamenti i Shtetit rikujton edhe mesazhin e presidentit të SHBA-së, Joe Biden, drejtuar qytetarëve të Rusisë.
“Ju nuk jeni armiqtë tanë. Unë nuk besoj se dëshironi një luftë të përgjakshme, shkatërruese kundër Ukrainës, vendit dhe njerëzve me të cilët keni lidhje të thella familjare, historike dhe kulturore.”
Tensionet rreth Ukrainës vazhdojnë. Rusia njoftoi të martën se ka filluar tërheqjen e disa njësive ushtarake në baza, për shkak se një pjesë e stërvitjeve ushtarake kanë përfunduar. Vendet perëndimore dhe NATO kanë thënë se nuk ka prova në terren dhe se Rusia po përgatit një justifikim për të sulmuar Ukrainën.
Në konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës që nga viti 2014, Serbia ka mbajtur qëndrime të ndryshme.
Pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, Serbia nuk e njohu Krimenë si pjesë të Rusisë. Nga ana tjetër, ajo nuk iu bashkua sanksioneve ekonomike të BE-së të vendosura ndaj Moskës për shkak të aneksimit të Krimesë dhe votoi kundër disa rezoluta të OKB-së që deklaronin shkeljet e të drejtave të njeriut në Krime ose dënonin aneksimin e atij gadishulli.
Vullnetarë nga Serbia luftuan në anën e separatistëve rusë në Donbas, në Ukrainën lindore.
As Rusia dhe as Ukraina nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Clickbait në titullin e RT Balkan: Shkrimi i grafiteve paraqitet si “maltretim”, ndonëse nuk ka hetim për autorin
Mojsilloviq dezinformon për marrëveshjen mes Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë
Raporti i CEPA-s: Rusia po zhvillon “luftë në hije” në Evropë, rritet rreziku i përshkallëzimit
Portal Novosti shpërndan propagandë: Marrëveshja mediatike shpallet “pakt kundër serbëve”
Mediumi serb manipulon për ushtarët amerikanë të KFOR-it: Nga interesi për ortodoksinë në pranim të fesë
Momçilo Gajiq, udhëheqësi i grupit serb që shkaktoi trazira në Evropë me urdhër të inteligjencës ruse, strehohet në Moskë