Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se një “pjesë e madhe e ushtrisë ruse” tani është e fokusuar në ofensivën e Donbasit.
Zelensky, tha se Rusia ka nisur një sulm për të kapur rajonin lindor të Donbasit.
Moska bombardoi qytetet me raketa dhe zjarr artilerie të hënën dhe në një fjalim përmes video-lidhjes, Zelensky tha se beteja “për Donbasin ka filluar”.
Zyrtari më i lartë i sigurisë i Ukrainës, Oleksiy Danilov, tha se Rusia u përpoq të thyente linjat e frontit ukrainas në rajon.
Ofensiva ka qenë e pritur prej kohësh pasi Rusia nuk arriti të pushtonte Kievin.
Rusia fillimisht dukej se donte të pushtonte qytetet kryesore të Ukrainës dhe të rrëzonte qeverinë.
Por pasi u përball me rezistencë të ashpër, zyrtarët rusë të mbrojtjes thanë se objektivat e saj kryesore në “fazën e parë të operacionit” ishin ” përmbushur përgjithësisht” dhe forcat e saj u zhvendosën nga zonat përreth kryeqytetit.
Presidenti rus Vladmir Putin e ka portretizuar pushtimin si një përpjekje për të çmilitarizuar dhe “denazifikuar” Ukrainën, diçka që Ukraina dhe aleatët e saj e hedhin poshtë si një hile për një sulm të paprovokuar.
Gjatë të hënës, Rusia lëshoi një breshëri zjarri me raketa dhe artileri në një numër zonash lindore, ku si pasojë tetë civilë u vranë në qytetin e Kreminës, në Luhansk dhe në zonën e Donetsk.