Presidenti i Ukrainës, Vollodimir Zelinski (Volodymyr Zelensky) thotë se “përfaqësuesit” rusë po planifikojnë të përmbysin qeverinë e tij javën e ardhshme, pasi një grumbullim i trupave ruse ngjall frikën e një pushtimi.
Zelinski tha se audio regjistrimet sugjeronin se biznesmeni më i pasur i vendit është përfshirë në këtë plan, megjithëse një gjë e tillë u mohua.
Zëdhënësi i Kremlinit, ndërkohë, tha se Rusia “nuk ka plane për t’u përfshirë” në dicka të tillë.
Moska gjithashtu i ka hedhur poshtë shqetësimet për grumbullimin e trupave si “alarmiste”.
Të premten, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg paralajmëroi se përdorimi rus i forcës kundër Ukrainës do të “kishte një kosto”, pa specifikuar se çfarë ajo nënkupton.
Zelinski denoncoi një “retorikë shumë të rrezikshme” që vjen nga Rusia.
“Është një sinjal… se mund të ketë përshkallëzim”, tha ai. “Ka një kërcënim sot se do të ketë luftë nesër. Ne jemi plotësisht të përgatitur për një përshkallëzim.”
Një pjesë e madhe e forcave ruse janë në Krime, gadishulli të cilin Rusia e aneksoi nga Ukraina në mars të vitit 2014. Trupat janë grumbulluar kohët e fundit pranë rajonit lindor të Donbasit të Ukrainës, zon pjesërisht nën kontrollin e separatistëve të mbështetur nga Rusia.
Manjati dhe gjoja grusht shteti
“Kam marrë informacione se një grusht shteti në vendin tonë do të ndodhë më 1 dhjetor”, tha presidenti ukrainas në një konferencë të gjatë për shtyp.
Zelinski tha se manjati i biznesit Rinat Akhmetov – i parë si kundërshtar i presidentit – “po përfshihej në luftë kundër shtetit ukrainas”.
Zelinski nuk përmendi emrat e komplotuesve të dyshuar, por tha se Akhmetov mund të dijë ose jo për plane të tilla në të cilat ai ishte përfshirë nga “rrethi i tij i ngushtë”.
Në një deklaratë publike, Akhmetov hodhi poshtë pretendimet e presidentit, duke thënë se ai ishte “i indinjuar nga përhapja e kësaj gënjeshtre”.
“Pozicioni im ishte dhe do të jetë i qartë, një Ukrainë e pavarur, demokratike dhe integrale me Krimenë dhe Donbasin tim të lindjes. Veprimet e mia e konfirmojnë këtë”, shtoi ai në një deklaratë të botuar në mediat ukrainase.
Udhëheqësi ukrainas nuk e akuzoi drejtpërdrejt qeverinë ruse për planin e supozuar, por zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u përgjigj pothuajse menjëherë duke thënë se Rusia “asnjhërë nuk bën gjëra të tilla”.