E bija e një ideologu rus ultra-nacionalist, i cili mbron idenë që Ukraina duhet të jetë pjesë e Rusisë, u vra të shtunën në mbrëmje kur mesa duket një mjet shpërthyes u aktivizua në makinën që ajo po ngiste jashtë Moskës, thanë të dielën hetuesit shtetërorë rusë.
Darya Dugina ishte vajza e aleatit të Vladimir Putinit, Alexander Dugin.
Ministria e Jashtme ruse tha se Ukraina mund të ketë qenë pas sulmit. Ukraina mohoi të kishte rol.
Agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS citonte Andrei Krasnovin, një person që e njihte Duginën, të thoshte se automjeti Toyota i përkiste babait të saj dhe se ndoshta kishte qenë ai objektivi i sulmit.
Të dy ata kishin qenë në një festival jashtë Moskës dhe Dugin kishte vendosur të ndërronte makinat në minutën e fundit, njofton gazeta qeveritare ruse Rossiiskaya Gazeta.
Pamjet televizive që shoqërojnë një deklaratë nga hetuesit e rajonit të Moskës treguan oficerët që mblidhnin mbeturina dhe fragmente nga vendi ku ndodhi shpërthimi.
Hetuesit po e trajtonin ngjarjen si vrasje dhe po shqyrtonin “të gjitha versionet” përsa i përkiste identifikimit të përgjegjësve. Kreu i Komitetit Hetues të Rusisë urdhëroi degën qendrore të institucionit që të merrte hetimin.
Maria Zakharova, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, tha se nëse hetimi do të arrinte në përfundimin se përgjegjësia ishte në Ukrainë, kjo do të tregonte se Kievi po ndjek një politikë të “terrorizmit shtetëror”.
Ukraina mohoi përfshirjen.
“Konfirmoj se natyrisht Ukraina, nuk kishte asnjë lidhje me këtë, sepse ne nuk jemi shtet kriminal, si Federata Ruse, dhe për më tepër ne nuk jemi një shtet terrorist,” tha këshilltari presidencial i Ukrainës, Mykhailo Podolyak, duke folur në televizionin ukrainas.
Ai la të kuptohej se sulmi ishte rezultat i luftrave të brendshme për pushtet midis “fraksioneve të ndryshme politike” në Rusi.
Alexander Dugin, babai i Daryas, ka mbrojtur prej kohësh idenë e bashkimit të territoreve rusishtfolëse dhe territoreve të tjera në një perandori të re të madhe ruse, përfshirë Ukrainën.
Dugin është në listën e sanksioneve të SHBA-së. Ndikimi i tij tek presidenti rus Vladimir Putin është bërë shpesh temë spekulimesh. Disa analistë mendojnë se ndikimi i tij është me peshë, ndërsa të tjerë mendojnë se është minimal.
Darya Dugina, e cila sipas medias shtetërore ruse ishte 30 vjeç, mbështeste gjerësisht idetë e babait të saj dhe ishte shfaqur shpesh në televizionin shtetëror duke shprehur mbështetje për veprimet e Rusisë në Ukrainë.