Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, paralajmëroi të mërkurën në Parlamentin Evropian se Bashkimi Evropian po përballet me një fushatë të koordinuar sulmesh hibride nga Rusia, që përfshin hyrje të avionëve luftarakë dhe dronëve në hapësirën ajrore të shteteve anëtare, sulme kibernetike, akte sabotimi dhe fushata dezinformuese të drejtuara kundër institucioneve dhe qytetarëve evropianë.
“Mos u mashtroni – kjo nuk është një shqetësim rastësor. Kjo është një fushatë e qëndrueshme dhe përshkallëzuese që synon të trondit qytetarët tanë, të testojë vendosmërinë tonë, të ndajë Unionin dhe të dobësojë mbështetjen tonë për Ukrainën. Kjo është luftë hibride dhe duhet ta marrim shumë seriozisht”, deklaroi von der Leyen.
Gjatë dy javëve të fundit, avionët luftarakë rusë MiG kanë shkelur hapësirën ajrore të Estonisë, ndërsa dronët kanë fluturuar mbi infrastrukturën kritike në Belgjikë, Poloni, Rumani, Danimarkë dhe Gjermani. Njëkohësisht, portet, aeroportet dhe qendrat logjistike evropiane janë bërë objektiv i sulmeve kibernetike, ndërsa proceset zgjedhore në disa vende janë ekspozuar ndaj ndikimeve të dëmshme dhe fushatave dezinformuese që vijnë nga Rusia.
Von der Leyen theksoi se kjo është pjesë e një strategjie më të gjerë të Kremlinit për të testuar kufijtë e tolerancës evropiane dhe për të destabilizuar rajonin.
“Një incident mund të jetë gabim, dy rastësi, por tre, pesë, dhjetë – kjo është një fushatë e qëllimshme gri kundër Evropës”, tha ajo, duke shtuar se BE-ja duhet të hetojë çdo rast dhe të identifikojë publikisht përgjegjësit.
Ajo vuri në dukje se Rusia po përpiqet të mbjellë “farën e përçarjes në Evropë”, por përgjigjja duhet të jetë uniteti dhe vendosmëria. Si pjesë e strategjisë së re, Komisioni Evropian planifikon krijimin e “koalicioneve të përbashkëta të aftësive” që do të zhvillojnë së bashku kapacitete kyçe mbrojtëse, veçanërisht në fushat e luftës kibernetike dhe elektronike.
Von der Leyen nënvizoi se lufta kundër agresionit hibrid rus nuk nënkupton vetëm mbrojtje ushtarake, por edhe forcimin e qëndrueshmërisë digjitale dhe sigurisë së informacionit. “Bëhet fjalë për softuerët e dronëve, pjesët rezervë për gazsjellësit, ekipet e shpejta kibernetike dhe fushatat publike që rrisin ndërgjegjësimin e qytetarëve”, tha ajo, duke derisa shtoi se Bashkimi Evropian duhet të zhvillojë një kulturë të re sigurie që përfshin mbrojtjen nga propaganda dhe dezinformimi.
Komisioni Evropian, në javët e ardhshme, planifikon të paraqesë nismën *“Preserving Peace – Readiness Roadmap 2030”*, e cila do të përcaktojë objektiva të përbashkëta dhe afate konkrete për forcimin e sigurisë dhe mbrojtjes kibernetike evropiane. Sipas saj, ky do të jetë një dokument kyç për përcaktimin e “qëndrueshmërisë së re evropiane” deri në fund të dekadës./The Geopost/

Raporti i CEPA-s: Rusia po zhvillon “luftë në hije” në Evropë, rritet rreziku i përshkallëzimit
Momçilo Gajiq, udhëheqësi i grupit serb që shkaktoi trazira në Evropë me urdhër të inteligjencës ruse, strehohet në Moskë
Kosova bashkë me vendet e tjera dënon sulmet iraniane në Ngushticën e Hormuzit
Deputeti i Bundestagut gjerman: Ndërhyrja e NATO-s në ’99-ën ndali gjenocidin e Millosheviqit në Kosovë
Ulja e orëve të gjuhëve të huaja në shkollat ruse si mjet militarizimi
“Nuk e bënë shqiptarët” – Si u vra Milosh Vlashkoviqi në Mazgit nga dy ushtarë serbë, teksa grabisnin shtëpitë në vitin 1999