Trupat ukrainase të përforcuara nga furnizimet e shtuara të ndihmës ushtarake perëndimore filluan të hënën një kundërofensivë për të rimarrë territorin në jug të pushtuar nga forcat ruse para gjashtë muajsh. Megjithatë, qyteti port jugor Mykoliav po përballet me bombardime të shtuara ruse. Kryebashkiaku tha se sulmet po godasin shtëpitë dhe të paktën dy persona ishin vrarë.
Ndërkohë një ekip nga mbikëqyrësi bërthamor i Kombeve të Bashkuara ka udhëtuar drejt Ukrainës për të inspektuar centralin bërthamor të Zaporizhzhias, i marrë nën kontroll nga forcat ruse në mars, por ende i drejtuar nga stafi ukrainas. Kjo zonë e kthyer në vijë të frontit është bërë shumë e rrezikshme.
Moska dhe Kievi kanë shkëmbyer akuza për bombardime në afërsi të centralit bërthamor, më i madhi në Evropë, duke rritur frikën për një rrjedhje rrezatimi në rajonin që ende e kujton me tmerr fatkeqësinë e Çernobilit në vitin 1986.
Zëdhënësja e komandës jugore të Ukrainës, Natalia Humeniuk, tha se trupat e saj kishin filluar aksionet sulmuese në disa drejtime në jug, duke përfshirë rajonin Kherson.
Rusia mori shumë shpejt nën kontroll pjesë të jugut të Ukrainës pranë bregut të Detit të Zi, duke përfshirë qytetin Kherson, në fazën e hershme të luftës.
Rajoni Kherson shtrihet në veri të gadishullit të Krimesë të aneksuar nga Rusia dhe ka brigje në Detin e Zi dhe Detin Azov.
Ukraina ka përdorur armë të sofistikuara të marra nga perëndimi për të goditur depot ruse të municioneve dhe për të shkatërruar linjat e furnizimit rus. Zonja Humeniuk tha në një konferencë se Ukraina kishte goditur më shumë se 10 depo në javën e kaluar duke e “dobësuar pa dyshim armikun”.
Ajo nuk pranoi të jepte detaje të kundërsulmit, duke thënë se forcat ruse në Ukrainën jugore mbetën “mjaft të fuqishme”.
Guvernatori i Krimesë së aneksuar, Sergei Aksyonov, e hodhi poshtë njoftimin e saj si “propagandë ukrainase”.
Agjencia ruse e lajmeve RIA, duke cituar zyrtarin vendor, Vladimir Leontiev, tha se njerëzit po evakuoheshin nga vendet e punës në Nova Kahokva, një qytet 58 km në lindje të Khersonit, pasi forcat ukrainase kryen më shumë se 10 sulme me raketa.
Në perëndim të Khersonit, qyteti i Mykolaiv u bombardua nga forcat ruse të hënën, thanë zyrtarët lokalë.
Kryebashkiaku Oleksandr Senkevych tha se dy persona ishin vrarë dhe pesë të tjerë janë plagosur. Shtëpitë e banimit dhe institucionet arsimore u vunë në shënjestër, ka shkruar ai në “Telegram”.
Mykolaiv, një qendër ndërtimi anijesh dhe një port lumi afër Detit të Zi, ka pësuar bombardime të rënda ruse gjatë gjithë luftës./VOA