Delegacionet e Ukrainës dhe Rusisë u takuan sot në Stamboll të Turqisë.
Gjatë këtyre bisedimeve, Kievi ka ofruar që të miratojë një status neutral dhe të mos i bashkohet aleancave ushtarake, në këmbim të garancive të sigurisë.
Po ashtu Ukraina ka thënë se dëshiron të bisedojë për statusin e Krimesë së Aneksuar.
Nikoqirja e takimit, Turqia, tha se ky ishte rundi më i suksesshëm i bisedimeve që dy palët kanë zhvilluar deri më tani.
Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu ka thënë se bisedimet e së martës mes Ukrainës dhe Rusisë – të parat ballë për ballë pas më shumë se dy javësh – kanë qenë më të suksesshmet prej kur kanë nisur diskutimet në mes të të dyja palëve.
Cavusoglu ka thënë se Turqia ka mirëpritur të dyja shtetet për të arritur kompromis dhe pajtueshmëri për çështje të caktuara, duke theksuar se lufta duhet të përfundojë sa më shpejt që është e mundur.
Ai ka thënë se “tema edhe më të vështira” pritet të diskutohen në të ardhmen mes ministrave të Jashtëm të Ukrainës dhe Rusisë.