
Sondazhi i ri i zhvilluar nga Qendra për Hulumtime Anketuese të Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI) në Maqedoninë e Veriut tregon rritje të ndikimit kinez dhe rus, mungesë transparence në partitë politike dhe mbështetje për Nismën “Ballkani i Hapur”, përcjell The Geopost.
Në politikën e jashtme, 64% e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut pajtohen se marrëdhëniet e forta me Kinën më së miri u shërbejnë interesave të tyre. Gjashtëdhjetë për qind mendojnë të njëjtën për Rusinë. Kjo paraqet rritje prej njëmbëdhjetë përqind për Kinën dhe rritje prej gjashtë përqind për Rusinë nga sondazhi i zhvilluar në shkurt të vitit 2020.
Sondazhi i sapopublikuar tregon gjithashtu mbështetje të fortë për Bashkimin Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara. Gjithsej, 85% pajtohen se interesat e Maqedonisë së Veriut shërbehen më së miri nga marrëdhëniet e forta me BE-në dhe 76% pajtohen se kjo vlen për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ndërsa Maqedonia e Veriut përpiqet të bëjë përparime demokratike, është shqetësuese që Kina dhe Rusia vazhdojnë të bëjnë depërtime të qëndrueshme”, tha Paul McCarthy, Drejtor Rajonal i IRI-t për Evropë. “Për fat të mirë, mbështetja për partneritete të ngushta me BE-në dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet shumë e fortë.”
Së fundi, 75% e të rriturve mbështesin Nismën “Ballkani i Hapur”, një seri marrëveshjesh që përfshijnë Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë për të ndihmuar në lehtësimin e tregtisë, biznesit dhe lëvizjes së qytetarëve midis vendeve.
IRI thekson se sondazhi është zbatuar para pushtimit të Ukrainës nga Federata Ruse.
Sondazhi u zhvillua në emër të Qendrës për Hulumtime Anketuese të IRI-t nga Brima kompania për hulumtime të tregut (pjesë e grupacionit KANTAR dhe anëtare e shoqatës Gallup International Association). Të dhënat u mblodhën prej 27 nëntor deri më 23 dhjetor 2021, duke përdorur metodë të mostrës me shumë shkallë të shtresuar nëpërmjet intervistave personale në shtëpi. Madhësia e mostrës përfaqësuese kombëtare ishte 1,226 të anketuar, të moshës 18 vjeç e më të vjetër. Të dhënat u ponderuan sipas moshës, gjinisë, rajonit dhe përkatësisë etnike. Marzhi i gabimit ishte ± 2.8 pikë në nivel të besueshmërisë prej 95%. Norma e përgjigjeve ishte 75 %.