Programi televiziv “E vërtetja juaj”, i cili shfaqet në televizionin shtetëror rus, ka nisur edicionin e 26 marsit me manipulim të deklaratave të disa qytetarëve të Mariupolit në Ukrainë, i cili është shkaktuar nga bombat dhe raketat ruse, prej kur Moska filloi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Një grua ka pretenduar se forcat ukrainase po qëllojnë në kopshtet e fëmijëve sikurse “në një lojë”.
Një burrë i zemëruar ka mallkuar “këta fashistë, këta bastardë… dhe të varur nga droga”.
Më vonë, mysafirja e parë e emisionit ka qenë kryeredaktorja e televizionit rus, RT, Margarita Simonyan, e cila me lot në sy ka bërë një varg pretendimesh, duke nisur nga ato se forcat ukrainase janë duke shënjestruar fëmijët me bomba; që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka ndaluar të gjitha mediat private; që ukrainasit nuk i konsiderojnë rusët si njerëz; që mjekët ukrainas kanë kërkuar tredhjen e të burgosurve rusë të luftës; që “nazistët” ukrainas janë të përgatitur “për t’ua nxjerrë” sytë fëmijëve, varësisht nga etnia e tyre”.
Të gjitha këto pretendime janë bërë në pesë minutat e parë të transmetimit.
Qeveria e Rusisë insiston rrejshëm se lufta në Ukrainë nuk është luftë, por “operacion special ushtarak”, dhe ka thënë se qëllimet kryesore të saj janë “denazifikimi dhe çmilitarizimi” i shtetit fqinj.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka përshkruar Ukrainën si shtet jolegjitim, që është krijuar nga autoritetet sovjetike dhe tani drejtohet nga “neo-nazistë” dhe “të varur nga droga”, të cilët marrin urdhra nga Uashingtoni.
Të gjitha këto çështje përmenden vazhdimisht në programet që përkrahin politikën e Kremlinit.
“Ata gënjejnë gjithmonë”
“I gjithë televizioni është i mbushur me shpëlarje truri në aspektin ushtarak”, ka thënë Yelena Rykovtseva, korrespodente e Shërbimit rus të Radios Evropa e Lirë, e cila është e fokusuar në media.
Ajo ka shtuar se është e vështirë të ndash drejtësinë brenda një artikulli të televizionit shtetëror rus, pasi “histeria kundër Ukrainës është në kulm”.
Në mesin e informacioneve që shpërndahen janë edhe ato që kinse në Mariupol, teksa forcat ruse u afrohen neo-nazistëve, këta të fundit përdorin banorët lokalë si mburoja; që nazistët janë duke goditur refugjatët dhe që ushtarët rusë janë duke i shpëtuar fëmijët dhe duke u ndihmuar të plagosurve.
Këto pretendime, të ofruara pa u mbështetur në fakte, nuk janë në përputhje me atë që thonë zyrtarët dhe mediat e Perëndimit – të cilat kanë pasur gazetarë të angazhuar në Mariupol – si dhe vetë banorët e qytetit, disa prej të cilëve janë përballur me bombardime ruse, pavarësisht marrëveshjeve për korridore humanitare.
Më 29 mars, programi televiziv, “Koha do të tregojë” – i cili transmetohet në televizionin shtetëror Chanel One – ka shfaqur një kishë ortodokse, e cila nuk duket e dëmtuar, por është mes rrënojave.
Korrespodenti ka thënë se kjo gjë “na jep shpresë se Zoti është me ne”.
Në narrativën e Kremlinit përfshihen edhe pretendimet e pabazuara se Kievi ka qenë gati për të nisur ofensivë të madhe ushtarake kundër separatistëve të mbështetur nga Rusia në rajonin ukrainas të Donbasit dhe që Shtetet e Bashkuara janë të vendosura për ta shkatërruar Rusinë.
Gazetari ukrainas, Roman Tsymbalyuk, i cili ka punuar për shumë vjet në Moskë si korrespodent për agjencinë e lajmeve UNIAN, dhe ka qenë mysafir i shpeshtë në emisionet e televizioneve shtetërore ruse, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ka mësuar “saktësisht si funksionon propaganda ruse”.
“Mediat ruse nuk janë media masive ruse, por trupa të informacionit që gjithmonë gënjejnë”, ka thënë ai.

Si po përdor Rusia dezinformimin dhe luftën kibernetike për destabilizim në Evropë
BLLOFI I KORRIKUT: Zgjedhja e Vuçiqit mes rrezikut të humbjes tani dhe kolapsit më vonë
Raport: Polonia, objektivi kryesor i strategjisë hibride të Rusisë në Evropë
A po lëviz BE-ja drejt një rendi pa veto – dhe pse kjo ka rëndësi?
A po i vjen fundi regjimit të Vuçiqit në Serbi?
Rusia dhe lufta hibride: Propaganda, dezinformimi dhe sulmet kibernetike