
Shtetet e Bashkuara, të cilat ndërmjetësuan marrëveshjen e paqes në Bosnje dhe Hercegovinë në vitin 1995, mund të vendosin sanksione ndaj atyre që përpiqen të tërhiqen në mënyrë të njëanshme nga institucionet e saj shtetërore ose të destabilizojnë marrëveshjen, tha të martën Sekretari i Shtetit i SHBA Anthony Blinken. Udhëheqësi serb i Bosnjës Milorad Dodik, përfaqësuesi serb në presidencën e BeH-së, po kërcënon të tërhiqet nga institucionet e nivelit shtetëror, duke përfshirë gjyqësorin e përbashkët, ushtrinë dhe administratën tatimore.
“Si dëshmitare e nënshkrimit të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit (DPA), Shtetet e Bashkuara përsërisin se lëvizjet për t’u tërhequr në mënyrë të njëanshme nga institucionet e nivelit shtetëror ose që mund të destabilizojnë DPA-në do të përballen me veprimet e duhura, duke përfshirë shqyrtimin e sanksioneve,” tha Blinken në një letër dërguar anëtarëve të Presidencës tre anëtarëshe të BeH.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë më parë se nuk ka asnjë mënyrë kushtetuese që entiteti me shumicë serbe, Republika Srpska, të tërhiqet në mënyrë të njëanshme nga institucionet kombëtare, ndërsa Dodik vuri në dukje se institucionet nga tw cilat ai dëshiron të largohet nuk janë të përfshira në kushtetutën e Dejtonit, por janë krijuar, me amendamentet.
Blinken tha në letrën e tij se hapat për të minuar institucionet e BeH do të rrezikonin jo vetëm perspektivën evropiane të vendit, duke vënë në dukje synimin e tij për t’u bashkuar përfundimisht me Bashkimin Evropian, por gjithashtu do të minonin stabilitetin rajonal dhe një ekonomi të brishtë. Ai u bëri thirrje të gjitha palëve që të kthehen në tavolinë dhe të ndërtojnë konsensus në mesin e etnive, sipas Radios Evropa e Lirë.
“Shtetet e Bashkuara janë partneri më i fortë i Bosnje dhe Hercegovinës në zgjidhjen e problemit të ndarjes së pushteteve dhe mungesës së funksionalitetit përmes dialogut”, tha Blinken.
Këshilltari i Departamentit të Shtetit të SHBA Derer Cholet zhvilloi dje një takim me anëtarët e Presidencës së BeH, ku u dorëzoi një letër anëtarëve të Presidencës tre anëtarëshe.
“Kam bërë thirrje për de-përshkallëzimin, dialogun dhe funksionimin e institucioneve në të gjitha nivelet e qeverisjes”, shkroi Cholet në Twitter pas një takimi me anëtarët e presidencës më 16 nëntor.
“Është koha që Bosnja dhe Hercegovina të shikojë nga e ardhmja”.
Cholet tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara po monitorojnë me shumë kujdes krizën politike në BiH dhe kanë mjete që mund t’i përdorin kundër udhëheqësve nacionalistë që mbrojnë ndarjet në atë vend dhe që duan ta ndajnë atë.
“Apeli ynë për krerët në BeH është të ngrihen mbi interesat e tyre dhe të përpiqen të mendojnë për interesat më të gjera të vendit të tyre. Nëse liderët vazhdojnë në rrugën e ndarjes, shpërbërjes, tërheqjes nga institucionet qendrore, ka mjete që kemi për të ndëshkuar një sjellje të tillë. Jemi shumë të shqetësuar. Shumë vëmendje po i kushtohet situatës këtu në Uashington, ka shumë shqetësime për rrugën në të cilën është Bosnja dhe ka frikë, për herë të parë në 26 vjet, Marrëveshja e Paqes e Dejtonit është në momentin e saj më të rrezikshëm”, tha Colet.
Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara besojnë se Bosnja ende nuk e ka kaluar pikën nga e cila, siç tha ai, nuk ka kthim.
Administrata e presidentit amerikan Joe Biden ka rinovuar presionin mbi diplomacinë për zgjidhjen e krizës politike, duke punuar me partnerët evropianë dhe rajonalë për të siguruar integritetin territorial të vendit dhe respektimin e marrëveshjes së paqes.