
Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur mbrëmjen e sotme në fshatin Varagë të Zubin Potokut, me ç’rast është dëmtuar kanali i ujit të Ibër-Lepencit.
Lajmin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
“Po, është dëgjuar një shpërthim në kanalin e ujit dhe ekipet policore janë duke punuar që sa më shpejtë ta ndriçojnë rastin”, ka thënë Elshani.
Mësohet se uji ka nisur të rrjedhë nga kanali në mënyrë të pakontrolluar.
Kurse Kompania Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica”, ka njoftuar se si pasojë e dëmtimit të një pjese të kanalit të Ibër-Lepencit, nga i cili kanal qytetarët e Mitrovicës furnizohen me ujë është ndërprerë furnizimi me ujë të pijes. Kjo kompani fton qytetarët që të sigurojnë rezerva të ujit të pijes./Telegrafi/