Autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë dënuar aktin e Rusisë për njohjen si shtete të pavarura të rajoneve në Ukrainën Lindore, raporton The Geopost.
Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, shprehu mbështetje të fortë për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës. “Rendi i bazuar në të drejtën ndërkombëtare është baza në marrëdhëniet ndërkombëtare, parimet e të cilit duhet të respektohen. Shkelja e rëndë e së drejtës ndërkombëtare është kërcënim për qytetërimin”, shkroi Pendarovski në Twitter.
Nga kabineti i Pendarovskit për mediat lokale kanë informuar se për momentin nuk është planifikuar seancë e Këshillit të Sigurimit për efektet dhe pasojat e mundshme të krizës ukrainase, duke thënë se vendi është në vazhdimësi aktive në kuadër të NATO-s.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski, ndërkaq, e dënoi vendimin e Federatës Ruse për të njohur pavarësinë e vetëshpallur të rajoneve Donjeck dhe Lugansk. “E dënoj vendimin e Rusisë për të njohur Donjeckun dhe Lugansksin si të vetëshpallura ‘Republika Popullore’. Ky akt është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe shkelje e marrëveshjeve të Minskut dhe vendimeve të Këshillit të OKB-së të vitit 2015. Së bashku me aleatët e NATO-s, ne bëjmë thirrje për një zgjidhje diplomatike të konfliktit”, shkroi ai në Twitter.
Tema për dhe rreth Ukrainës ishte një nga pikat kryesore të Qeverisë së RMV. Anëtarët e qeverisë diskutuan për situatën e sigurisë por edhe masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e anëtarëve të RMV në kuadër të Misionit Monitorues të OSBE-së, të cilët ndodhen në Ukrainë. Për këtë çështje qeveria ka angazhuar Ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, i cili menjëherë realizoi bisedë telefonike me sekretaren e Përgjithshme të OSBE-së Helga Shmidt. “Ministri Osmani, si anëtar i treshes kryesuese, theksoi se Maqedonia e Veriut do të marrë pjesë aktive në proceset e de-eskalimit dhe gjetjes së zgjidhjes diplomatike përmes dialogut thelbësor midis palëve të përfshira. Njëherazi, Ministri shprehu mbështetje për Misionin Special të Monitorimit të OSBE-së në Ukrainë, si dhe theksoi gatishmërinë tonë për angazhim shtesë me qëllim uljen e tensioneve”, theksohet në kumtesën e Ministrisë.
Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, tha se nuk beson se kriza e Rusisë me Ukrainën do të ndikojë në gjendjen energjetike në vend, veçanërisht jo në çmimin e energjisë elektrike.
“Në pjesën e furnizimit të sigurtë dhe të vazhdueshëm me energji elektrike veçanërisht për amvisëritë, por edhe për ekonominë nuk besoj se do të kemi ndonjë problem dhe nuk presim të ketë restriksione”, tha Bekteshi.
Ndërkaq, ministri i Financave Fatmir Besimi ishte i pari që ngriti shqetësimet për pasojat e përshkallëzimit të situatës mes Rusisë dhe Ukrainës. Në një intervistë për MIA-n, ai tha se kjo potencialisht mund të sjellë përkeqësim në tregjet evropiane.
“Kjo varet nga ndikimi në tregjet në Evropë në fushën e energjisë, i cili tashmë është ndjerë. Mund të jetë më keq nëse ndodh diçka, nëse situata përshkallëzohet dhe çmimet rriten, ne i kemi të dyja. Përshkallëzimet tjera, varësisht nga drejtimi i implikimeve, mund të jenë mungesë energjie, por ky mbetet një skenar spekulativ për momentin”, tha Besimi.
Ndërsa shumica e faktorëve politikë në Maqedoninë e Veriut kanë dënuar vendimin e Moskës për të njohur rajonet etnike ukrainase me shumicë ukrainase si shtete të pavarura, vetëm një parti ka mbështetur Rusinë e Vladimir Putinit.
“Putini ua bëri sonte: “Ju e deshit Kosovën, ja edhe dy të tjera”, ka shkruar në Facebook kreu i Partisë Levica, Dimitar Apasiev, pas lajmit për njohjen e Donetskut dhe Luhanskut nga Rusia.