Shtetet e Bashkuara po kërkojnë pezullimin e Rusisë nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut i Kombeve të Bashkuara, pas raportimeve se forcat ruse kanë vrarë dhjetëra civilë në qytetin ukrainas të Buças.
“Pjesëmarrja e Rusisë në Këshillin për të Drejta të Njeriut është farsë”, tha ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield, gjatë vizitës më 4 prill në Bukuresht të Rumanisë.
We cannot let a Member State that is subverting every principle we hold dear to continue to participate in the @UN_HRC.
— Ambassador Linda Thomas-Greenfield (@USAmbUN) April 4, 2022
Ajo po viziton Rumaninë për të parë se si ky shtet, që gjendet në kufi me Ukrainën, po përballet me valën e refugjatëve ukrainas.
“Është gjë e gabuar, prandaj ne besojmë se është koha që Asambleja e Përgjithshme e OKB-së të votojë për t’i larguar ata [rusët]”, tha ajo.
Largimi i Rusisë nga ky këshill, që ka selinë në Gjenevë, kërkon votat e të paktën dy të tretave të 193 anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme. Mocioni për largimin e një shteti nga ky këshill mund të merret parasysh nëse gjendet se shteti ka kryer shkelje sistematike të të drejtave të njeriut në kohën sa ka qenë anëtar i këshillit.
Rusia, që është në vitin e dytë të mandatit trevjeçar në këtë këshill, nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Trupat e saj së fundi janë larguar nga Buça, që gjendet në periferi të Kievit, ku më pas janë gjetur trupat e pajetë të dhjetëra personave.
Fotografitë e publikuara kanë shfaqur trupat e disa civilëve të vrarë të cilët kanë pasur duart e lidhura pas shpine. Këto skena kanë shtuar thirrjet për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë dhe për ndjekjen penale të keqbërësve.
“Pamjet nga Buça dhe shkatërrimi në mbarë Ukrainë kërkon që ne tani t’i përputhim fjalët tona me veprimet tona”, tha Thomas-Greenfield.
Kryetari i Buças, Anatoliy Fedoruk, tha më 2 prill se afër 300 banorë lokalë janë vrarë gjatë okupimit rus të këtij qyteti dhe afër 280 trupa janë gjetur në një varrezë masive.
Rusia ka mohuar se forcat e saj kanë qenë të përfshirë në këto vrasje dhe kanë thënë se këto pretendime janë “provokim”.