Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, tha se Uashingtoni nuk do të lejojë dhunë në veri të Kosovës e as përsëritje të një një sulmi si ai i 24 shtatorit në Banjskës të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.
O’Brien tha se presin nga Beogradi që të mbajë situatën e qetë, transmeton The Geopost.
“Kjo është shumë e rëndësishme veçmas pas ngjarjeve shtatorin e kaluar, kur një grup tentoi të dërgonte një sasi armësh që do të shkaktonin dhunë të madhe, nëse ata do të mund të çonin në fund planet e tyre. Mendoj se kjo është diçka që të dyja palët e kuptojnë se nuk do të lejohet të ndodhë dhe askush nuk dëshiron që kjo të përsëritet”, tha ai.
Këtë deklaratë ai e dha gjatë një bashkëbisedimi virtual me gazetarë më 11 janar ku u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të shmangin veprimet provokuese në veri të vendit, të banuar me shumicë serbe.
Zyrtari i lartë amerikan foli edhe për parregullsitë e raportuara nga vëzhguesit ndërkombëtarë për zgjedhjet parlamentare, lokale dhe krahinore që Serbia mbajti më 17 dhjetor 2023. Ai tha se Uashingtoni pret që të punojë me qeverinë serbe që të adresohen këto shqetësime, ndërkaq tha se SHBA-ja mbështet protestat paqësore në Serbi “nga njerëzit që ndiejnë se zgjedhjet ishin jofer dhe që rezultatet nuk ishin ashtu siç ata prisnin”.
SHBA dha garancitë për siguri në veri të Kosovës në të njëjtën ditë kur u njoftua se edhe ka pranuar kërkesën e Kosovës për të blerë raketa kundërtanke Javelin.
Lajmin ia dha ambasadori amerikan Christopher Hill presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, derisa ky i fundit u shpreh i nervozuar për këtë.
Departamenti Amerikan i Shtetit do ta dërgojë kërkesën e Kosovës në Kongresin amerikan, me çka fillon procedura zyrtare.
Presidenti Vuçiq tha se “ky informacion është një zhgënjim i madh për Serbinë.”
Nga Ministria e Mbrojtjes e Kosovës thanë se blerja e raketave Javelin është paraparë në kuadër të ngritjes së kapaciteteve ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
“FSK-ja është duke i ngritur kapacitetet e saj ushtarake, dhe, në këtë aspekt, ekziston një marrëveshje ushtarake e nënshkruar mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që funksionon në kuadër të programit FMS, që blerjet të realizohen nëpërmjet këtij programi. Dhe, në këtë aspekt, janë të përfshirë edhe raketa Javelin dhe disa sisteme të tjera moderne të armatimit”, ka thënë Liridona Gashi, këshilltare politike e ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, për mediat në Kosovë.
Vuçiq një ditë më parë ishte takuar me ambasadorin rus në Beograd, Aleksandar Bocan Kharchenko, ku kishte lavdëruar marrëdhëniet serbo-ruse.
“Jemi të kënaqur me marrëdhëniet mes Rusisë dhe Serbisë, por ne duam gjithmonë më mirë dhe më shumë. Për këtë kemi mundësitë dhe mbështetjen e kryeministrit dhe shtetit”, tha ambasadori rus në Beograd.
Vuçiq tha se marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira dhe se gjithmonë mund të bëhet më shumë.
Vuçiç gjithashtu ka deklaruar hapur se i mbështet veprimet destabilizuese të Republikës Srbska dhe nacionalistit Milorad Dodik, duke theksuar se sa shumë “po e ndihmon Serbia sot Republikën Srbska”, duke paralajmëruar se “këtë do ta bëjë edhe më shumë në të ardhmen”./The Geopost/