Shtetet e Bashkuara kanë marrë kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave antitank Javelin, i tha të enjten ambasadori amerikan në Serbi presidentit Aleksandar Vuçiç, i cili shprehu “zhgënjim të thellë.”
Departamenti i Shtetit i SHBA-së tha më vonë të enjten se kishte miratuar shitjen e mundshme të 246 raketave dhe dhe pajisjeve përkatëse Kosovës për rreth 75 milionë dollarë.
“Kjo shitje e propozuar do të mbështesë objektivat e politikës së jashtme dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke rritur sigurinë e një partneri evropian që është një forcë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe ekonomik në Evropë,” tha Zyra e Çështjeve Politiko-Ushtarake të Departamentit Amerikan të Shtetit. .
Në një deklaratë nga zyra e Vuçiqit thuhet se ambasadori amerikan Christopher Hill e kishte informuar atë se Departamenti i Shtetit i SHBA-së do t’ia përcjellë kërkesën e Kosovës Kongresit, i cili po shqyrton shitjet e armëve të huaja.
Kosova është ish-krahinë serbe që shpalli pavarësinë në vitin 2008. Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve perëndimore e njohin shtetësinë e Kosovës, por Serbia dhe aleatët e saj Rusia dhe Kina nuk e njohin.
Presidenti serb tha: “Për ne është me rëndësi të madhe që paqja në rajon të mos prishet dhe Serbia të vazhdojë të veprojë me përgjegjësi dhe të kontribuojë për stabilitetin në Ballkan”.
Shitja e planifikuar e sistemit raketor në Kosovë vjen në një kohë tensioni në rajon. Në muajt e fundit, Serbia ka zhvendosur disa herë trupat e saj në kufirin e ruajtur nga paqeruajtësit e NATO-s dhe forcat e Kosovës në ato që u konsideruan nga Perëndimi si veprime armiqësore.
Vuçiq pretendoi këtë muaj se Serbia kishte një nga ushtritë më të forta në Ballkan, duke përmendur “numrin e madh” të tankeve që vendi mori nga Rusia para pushtimit të Ukrainës. Ai u zotua të vazhdojë të blejë armë nga Kina dhe vende të tjera, duke përfshirë sisteme kundërajrore, avionë luftarakë dhe dronë.
Sistemi i raketave Javelin u përdor nga forcat e armatosura të Ukrainës për të shkatërruar tanket ruse dhe automjetet e tjera të blinduara.
Kosova ka përmirësuar forcat e saj të armatosura me dronë dhe raketa antitank, kryesisht nga Turqia, gjë që ka zemëruar Beogradin./AP/