Pas deklaratave të presidentit rus Vladimir Putin për mobilizim të pjesshëm të rezervistëve në Ukrainë, kanë reaguar liderë nga e gjithë bota e në veçanti nga vendet perëndimore.
Ndër më të fundit është Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, i cili tha se pavarësisht kërcënimeve dhe propagandës ruse, nuk mund të fshihet fakti që Ukraina është duke fituar, transmeton Telegrafi.
Sipas tij, veprimet ruse janë dëshmi e qartë se plani i Putinit në Ukrainë ka dështuar, dhe se çdo ditë e më shumë po rikthejnë territoret që dikur ishin nën kontrollin e Kremlinit.
“Kurrë kërcënimi apo propaganda nuk mund ta fshehë faktin që Ukraina po fiton. Putin dhe ministri i tij i Mbrojtjes kanë dërguar dhjetëra mijëra ushtarë të papërgatitur drejt vdekjes. Kurrfarë propagande nuk mund ta fshehë faktin që Ukraina po e fiton luftën, dhe se bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar si kurrë më parë”, shtoi Wallace.
Ndryshe me mobilizim të pjesshëm, Putini dhe ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu kanë bërë të ditur se nënkuptohet se do të ftohen 300 mijë rezervistë për të luftuar në Ukrainë. /Telegrafi