Ndikimi rus në mediet bullgare është një fenomen shqetësues në zgjerim e sipër.
Rusia arrin që ndikimin e saj në mediet bullgare ta shtrijë “pa u vënë re”, duke pasur minimalisht prova që ndonjë medie e caktuar është në pronësi të Kremlinit.
Sipas raportit të Qendrës për Studim të Demokracisë (CSD), ndikimi rus në mediet mediet bullgare vjen si pasojë e rënies së investimeve përëndimore në atë vend.
“Për më shumë se një dekadë, peizazhi mediatik bullgar është karakterizuar nga dy procese thelbësore: ikja graduale e investitorëve të mëdhenj të medias perëndimore pas krizës financiare të vitit 2008 dhe përqendrimi i pronësisë së medias në duart e disa rrjeteve oligarkike vendase.” thuhet në raport.
Gjithsesi, ka shumë medie vendase që përmenden në këtë raport, të cilat në mënyrë indirekte përçojnë mesazhe e propaganda ruse.
Në listën e këtyre medieve janë edhe disa nga më të njohurat në Bullgari, siç janë: News Front, Ataka, Monitor dhe Mediapool.
“Kremlini e ka shfrytëzuar më së miri këtë formë të kapjes së medias kombëtare duke u angazhuar me manjatë dhe oligarkë vendas. Në këtë mënyrë, Kremlini mund të përdorë mediat lokale për të përhapur propagandë dhe për të ndikuar në vendimmarrjen strategjike pa u ekspozuar si pronar i medias”.
Për këtë, hulumtimi i CSD-së , argumenton duke e bazuar në fakte statistikore.
“Analiza e gjurmëve të koorporatave në sektorin mediatik bullgar zbulon një prani të parëndësishme të kompanive me pronësi përfituese ruse. Nga 10,304 kompani mediatike aktive në vend, vetëm 74 kanë një pronësi globale të huaj. Më konkretisht, gjurma e drejtpërdrejtë e koorporatave të Rusisë në peizazhin mediatik bullgar është minimale.
Ekziston vetëm një firmë mediatike (Studio Dvrender), pronari ekzekutiv i së cilës është i regjistruar në Rusi. Firma nuk ka deklaruar të ardhura operative dhe aktivitetet e saj janë të fokusuara vetëm në sektorin e prodhimit të filmave dhe programeve televizive, duke ofruar shërbime audio-vizuale në një shkallë të vogël”.
Paçka se në hije, mediet ruse kanë arritur të shtrijnë ndikim të gjerë në Bullgari.
Në rast të një analize më të detajuar të medieve në vend, ato me ndikim rus figurojnë shumicë.
“Mediat pro-ruse shënojnë një fitore kuantitative, e cila nëse merret nga motorët e kërkimit dhe algoritmet e mediave sociale mund të përforcojë më tej narrativat pro-ruse në publikun bullgar”, përmbyllet në raportin e CSD-së.