Një gjykatë në Moskë të martën ia zgjati paraburgimin Vladimir Kara Murza Jr., gazetar dhe aktivist i njohur i opozitës, i cili u burgos në muajin prill me akuzat për përhapjen e “informacionit të rremë” në lidhje me operacionin ushtarak të Rusisë në Ukrainë.
Rusia miratoi një ligj që kriminalizon përhapjen e “informacionit të rremë” për ushtrinë, menjëherë pasi trupat ruse hynë në Ukrainë më 24 shkurt.
Ligji, i cili parashikon dënim me burg deri në 15 vjet, është përdorur kundër dhjetëra njerëzve për të mbytur opozitën ndaj luftës.
Gjykata e Basmanny urdhëroi që Kara Murza, 40 vjeç, të mbahej në paraburgim deri më 12 tetor, njoftuan agjencitë ruse të lajmeve.
Kara Murza është gazetar dhe ishte bashkëpunëtor i liderit të opozitës, Boris Nemtsov, i cili u vra afër Kremlinit në vitin 2015.
Ai vetë u mbijetoi helmimeve në vitin 2015 dhe 2017, për të cilat fajësoi Kremlinin. Por, zyrtarët rusë kanë mohuar përgjegjësinë.
Çështja penale kundër tij rrjedh nga një fjalim i 15 marsit që ai mbajti në Dhomën e Përfaqësuesve të Arizonës, në të cilin denoncoi pushtimin e Rusisë në Ukrainë.
Ligji, i cili u miratua një javë pas pushtimit, u prit nga një valë protestash publike në rrugët e Moskës dhe Shën Petersburgut.
Kremlini këmbëngul se “operacioni i tij special ushtarak” në Ukrainë kishte mbështetje dërrmuese të publikut dhe lëvizi me shpejtësi për të shtypur çdo kritikë.
Mijëra protestues u arrestuan, dhjetëra media kritike u mbyllën dhe kritikët tjerë janë përballur me ndjekje penale.