
Jo vetëm që përbëjnë më shumë se 15 për qind të turistëve që vizitojnë Malin e Zi, dhe që 380,000 prej tyre pushuan në vitin rekord 2019 (krahasuar me 60,000 që vizituan Malin e Zi në vitin 2006), por rusët blenë gjithashtu pasuri të paluajtshme në Mal të Zi me vlerë deri në një miliard euro.
Rreth pesëqind milionë ata kanë investuar kryesisht në turizëm dhe industri. Sa është numri i pasurive të paluajtshme në pronësi të qytetarëve rusë nuk dihet, por sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB-së), në Mal të Zi janë rreth 7 mijë rusë, në bazë të qëndrimit të përhershëm, të përkohshëm ose të zgjatur, dhe disa qindra të tjerë janë në proces të marrjes së lejes së qëndrimit.
Rusët u vendosën, kryesisht në bregdetin malazez: Bar, Budva, Tivat, si dhe në Podgoricë, por ka edhe në fshatrat malazeze. Sipas të dhënave të Regjistrit Qendror të Subjekteve Ekonomike, ata janë pronarë të rreth tre mijë kompanive. Merren me prona të paluajtshme, hotelieri, ndërtimtari, por edhe disa punë të tjera, “më të vogla”.
Përveç një miliard e gjysmë euro investime, supozohet se rusët shpenzuan shumë më tepër para në Mal të Zi gjatë 15 viteve të fundit, kur kihet parasysh se vetëm në vitin rekord turistik 2019, kanë përbërë 15.3 për qind të turistëve dhe se ishin në vendin e parë për sa i përket konsumit. Vetëm atë vit Mali i Zi nga turizmi ka pasur të ardhura prej 1.1 miliardë eurosh.
Gjatë këtij viti, siç njofton Banka Qendrore e Malit të Zi, shumica e investimeve të huaja kanë ardhur nga Rusia – 95.56 milionë euro. Nga kjo, shuma më e madhe (37.94 milionë euro) ka të bëjë me pasuritë e paluajtshme, të cilat qytetarët e tyre i kanë blerë në Mal të Zi, për të pasuar me të ashtuquajturin borxh brenda kompanive prej 30.21 milionë dhe 27.17 milionë euro janë investuar në kompani dhe banka malazeze. Gjatë muajit shtator, rusët shpenzuan 6.48 milionë vetëm në pasuri të paluajtshme.
Shumë rusë zgjedhin të jetojnë në Mal të Zi sepse është shumë më lirë se në Rusi, por ka shumë nga ata që blejnë apartamente luksoze.
Për qytetarët rusë, Tivati është një nga qytetet e preferuara në Mal të Zi, si për investime ashtu edhe për jetesë. Rusët zotërojnë një numër të madh pronash në këtë qytet dhe ata kanë investuar dhe po investojnë në turizëm, janë të angazhuar, merren me veprimtari të shërbimeve.
Kështu, në vendbanimin e Lustica Bey, nga 300 banesa dhe suita, aq sa ka ky vendbanim luksoz, shumica e pronarëve janë qytetarë të Rusisë, në rreth 70 apartamente. Përndryshe, në këtë vendbanim pronarët e pronave të paluajtshme janë nga 42 vende, u tha për portalin tonë, jozyrtarisht, nga kompania Lustica Bey.
Qytetarët rusë që jetojnë në Tivat janë shumë të përfshirë në aktivitete shërbimi, siç janë shërbimet kozmetike, ata mbajnë kurse joga, shesin çajra, ushqim të shëndetshëm e të ngjashme.
Kur bëhet fjalë për biznese “më të mëdha” në Tivat, thuhet se pronar informal i grupit “Mimoza”, që është pronare e truallit në pjesën më atraktive në qendër të Tivatit, në parkun e ish-hotelit Mimoza, është biznesmeni i famshëm rus Valery Zadorin, pronar i “Aroma”, njërës nga kompanitë më të mëdha tregtare të produkteve luksoze. Sipas shkrimeve të mëparshme të disa mediave, në Tivat, si pronarë biznesi, d.m.th të pasurive të paluajtshme me vlerë përmend disa biznesmenë të tjerë rusë, si Mikhail Slipencik, Oleg Khulkla, Sergei Voronkov.
Interesi i rusëve për të blerë apartamente në resortin luksoz detar të Porto Montenegro në Tivat ka rënë, ku po ndërtohen 213 apartamente të strukturave të ndryshme, nga garsonjera në penthouse, dhe ku çmimi më i ulët i një apartamenti është 190 000 euro. Ndërsa në pjesën e përfunduar të Porto Montenegro, rusët ishin në vend të parë për blerje të apartamenteve. Siç na thanë nga kjo kompani, ka disa arsye për këtë dhe ato janë mungesa e fluturimeve të planifikuara ndërmjet Rusisë dhe Malit të Zi, kufizimet e Putinit për udhëtime dhe të ngjashme.
Aktualisht, për blerjen e apartamenteve në Boka Place, përfundimi i të cilave është planifikuar për në prill të vitit 2023, nga ish-republikat sovjetike, qytetarët e Ukrainës dhe Kazakistanit tregojnë më shumë interes se rusët, ndërsa blerës potencialë janë edhe qytetarët nga vendet e rajonit dhe disa vende të tjera evropiane.
Përpos bregdetit malazez, rusët janë mjaft të interesuar edhe në Podgoricë për blerje të pasurive të paluajtshme. Siç tha për portalin tonë Zana Popoviq nga agjencia “Pronova Nekretnine”, rusët vazhdojnë të blejnë apartamente dhe shtëpi, si dhe parcela për ndërtimin e objekteve të banimit.
“Rusët që blejnë prona të paluajtshme në Mal të Zi e bëjnë këtë për të jetuar në të me familjet e tyre, e jo për t’i rishitur ose për t’i dhënë me qira, ndaj përveç apartamenteve blejnë edhe shtëpi me tokë, si dhe parcela për të ndërtuar shtëpi”, thotë Popoviq dhe shton se situata në lidhje me epideminë e
koronavirusit, si dhe zhvillimet politike nuk ndikuan negativisht në blerjen e pasurive të paluajtshme nga rusët.
“Malazezët dhe rusët kanë shumë të përbashkëta edhe në mënyrën e tyre të jetesës, kushtet klimatike u përshtaten, ekziston edhe mundësia e komunikimit të lehtë. Ata e shohin Malin e Zi si një vend të sigurt”, thotë bashkëbiseduesja jonë.
Prandaj, pret që trendi i blerjes së pasurive të paluajtshme nga rusët të vazhdojë edhe në të ardhmen e afërt.
The Geopost