Rusia ishte investitori më i madh në Mal të Zi në katër muajt e parë të këtij viti, me 41.6 milionë euro investime direkte. Gjysmën e parave rusët i kanë investuar në blerjen e pasurive të paluajtshme për të cilat kanë paguar 20 milionë, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Malit të Zi (CBCG), raportojnë mediat e Podgoricës.
Gjithsej 306.47 milionë euro investime të huaja direkte kanë mbërritur në Mal të Zi në katër muajt e këtij viti, që është 68.4 milionë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Ndoshta lufta, pra agresioni i Rusisë kundër Ukrainës, i detyroi qytetarët rusë të rrisin investimet e tyre në biznes dhe pasuri të paluajtshme në Mal të Zi. Ata kanë investuar 15 milionë më shumë se nga janari deri në fund të prillit të vitit të kaluar, kur me 25.8 milionë investime direkte zinin vendin e tretë në listën e vendeve që kanë investuar më shumë.
Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së të Ardhurave dhe Doganave, nga 1 shkurti deri më 9 qershor të këtij viti, rusët kanë themeluar 1100 kompani në Mal të Zi, kryesisht në fushën e IT-së. Rusët janë pronarë ose bashkëpronarë të 18,906 pronave dhe 3.9 milionë metra katrorë tokë në Mal të Zi, në 13 komuna. Muajin e kaluar, qeveria ngriu asetet e 34 qytetarëve rusë si pjesë e sanksioneve për pushtimin e Ukrainës nga ai vend. Pasuritë e paluajtshme në Herceg Novi, Budva dhe Zhabljak janë ngrirë.
Nga fillimi i vitit deri në fund të prillit, në Mal të Zi nga Ukraina kanë mbërritur 5.37 milionë euro investime. Ukrainasit shpenzuan pjesën më të madhe të parave të tyre për blerje të pasurive të paluajtshme – 4.6 milionë, ndërsa investuan 594,000 euro në kompani dhe banka. 173,000 euro i referohet kredive nga kompanitë nga Ukraina.
Pas Rusisë, më së shumti para kanë ardhur nga Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) – 40.64 milionë euro. Turqia është në vendin e tretë me 27.9 milionë euro investime direkte.
Zvicra zuri vendin e pestë me 25.5 milionë euro investime, ndërsa Gjermania në vendin e gjashtë me 25.48 milionë investime.
Investimet nga Serbia shënuan rënie të lehtë dhe me 25.2 milionë euro të investuara zë vendin e shtatë, ndërsa vitin e kaluar me 28 milionë ishte në vendin e dytë. Serbët shpenzuan 12.5 milionë për pasuri të paluajtshme, 6.8 milionë ishin investime në kompanitë vendase dhe 3.6 milionë ishin borxhe brenda kompanive.
SHBA-të janë në vendin e tetë me 13.6 milionë euro investime, të fokusuara kryesisht në blerjen e pasurive të paluajtshme – 11.2 milionë. Pason Britania e Madhe me 7.2 milionë investime direkte, ndërsa Austria zë vendin e dhjetë me 6.7 milionë euro investime./The Geopost