Trazirat në Kazakistan vazhduan të përshkallëzohen të enjten më 6 janar, gjersa raportohet për viktima të reja dhe mijëra të arrestuar. Dëshmitarët thanë se kanë dëgjuar shpërthime dhe të shtëna me armë zjarri afër sheshit kryesor në Almati, pas pozicionimit të trupave të aleancës së drejtuar nga Rusia, me qëllim të shuarjes së protestave dhe mbrojtjes së ndërtesave institucionale.
Policia në qytetin kryesor Almati tha se kishte vrarë dhjetëra protestues gjatë natës. Autoritetet thanë se të paktën 18 anëtarë të forcave të sigurisë kishin vdekur, duke përfshirë dy të gjetur me kokë të prerë. Më shumë se 2000 njerëz janë arrestuar.
Sipas raportimeve në mediet online, në Kazakistan shihen edhe ushtarë të cilët gjuajnë në drejtim të protestuesve. Në spitalet e qytetit shihen shumë të plagosur nga këto përleshje të qytetarëve me policinë dhe ushtrinë e shtetit. Siç duket, shteti i udhëhequr nga regjimi autoritar nuk zgjedh mjete për ta ruajtur pushtetin.
Siç ka raportuar ‘The Geopost’ në fillim të protestave, kjo situatë do të shfrytëzohet nga presidenti rus Vlladimir Putin për të dërguar kinse paqeruajtës, të cilët në fakt janë ushtarë rusë që kanë për mision ta ndihmojnë presidentin Kazakistanez të mbetet në pushtet.
Vendosja e ushtarëve rusë në Kazakistan bart rreziqe: duke i ekspozuar autoritetet kazake si të varura nga muskujt e Moskës, gjersa Putini mund të ndezë edhe më tej protestuesit.
“Ata janë kazakë dhe Tokajev do të përpiqet t’i shtypë me trupat ruse. Kjo nuk do të duket e mrekullueshme për Moskën”, shkroi në Twitter ekonomisti Tim Ash, i specializuar në rajon.
Por është e vështirë të thuhet se sa e gjerë mund të jetë mbështetja për protestat në një vend me një opozitë jo mirë të organizuar, veçanërisht nëse demonstruesit fajësohen për dhunë. Trupat e para të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO), kanë nisur të operojnë në Kazakistan në orët e para të 6 janarit. CSTO ka bazën në Moskë dhe përbën një aleancë ushtarake të disa shteteve të ish-Bashkimit Sovjetik. Këtë aleancë e përdori presidenti rus Vladimir Putin për të dërguar ushtarë shtesë, por qëllimi me gjasë nuk është ruajtja e paqes.
Putini, në fakt, kishte dërguar ushtarët për t’i zbrapsur me dhunë protestat.
Veprime të tilla të dërgimit të trupave Rusia ka bërë edhe në Krime (Ukrainë), në luftën e Osetisë Jugore dhe Abhazisë (Gjeorgji) si dhe në Siri, si përgjigje ndaj kërkesës së presidentit diktator Basar Al Asad në adresë të Putinit për mbështetje ushtarake në luftën për mbrojte të regjimit të tij. Kjo mbështetje e Rusisë për diktatorët është e vazhdueshme me qëllim që t’i shtyp vlerat perëndimore demokratike dhe të përdorë si kartë kundër botës perëndimore.
Gjatë ditës është bllokuar totalisht interneti në këtë shtet, ndërkohë që edhe sistemi bankar është mbyllur për qarkullimin e parasë nga jashtë dhe anasjelltas. Megjithatë, numri i protestuesve vazhdon të rritet në çdo orë.