Foto: Reuters
Presidenti rus Vladimir Putin dërgoi një mesazh sfidues kundër Perëndimit për shkak të luftës në Ukrainë, pasi qëndroi krah për krah me liderin kinez Xi Jinping, ndërsa të dy udhëheqësit në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OKS) në Kinë shfaqën lidhjet e tyre të ngushta.
Duke folur para udhëheqësve të tjerë në samitin dyditor në Tianjin më 1 shtator, Putin tha se lufta në Ukrainë nuk erdhi “si rezultat i një sulmi rus”, por për shkak të një grushtshteti në Kiev të mbështetur nga Perëndimi, sipas agjencisë ruse TASS. Ai iu referua në mënyrë të pasaktë protestave të Majdanit në vitin 2014, të cilat rrëzuan presidentin pro-rus Viktor Janukoviç, pasi ky refuzoi një marrëveshje tregtare me BE-në dhe u afrua me Rusinë.
Putin shtoi se përpjekjet e Perëndimit për të afruar Ukrainën me NATO përbëjnë “kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e Rusisë”, një pretendim që aleanca ushtarake e ka mohuar vazhdimisht.
Ai lavdëroi OKS-në si një model për “një sistem që do të zëvendësonte modelet e vjetruara eurocentrike dhe euroatlantike”, duke iu referuar strukturave financiare dhe të sigurisë të udhëhequra nga Perëndimi që kanë formësuar rendin botëror pas Luftës së Dytë Botërore.
Samiti u shoqërua me theks të veçantë mbi rritjen e ndikimit diplomatik të Kinës – me skena të orkestruara për të treguar afrimin e Pekinit dhe Moskës dhe marrëdhënien personale mes Xi dhe Putinit.
Pamjet nga banketi i mirëseardhjes më 31 gusht treguan dy udhëheqësit duke ecur së bashku pas fotografisë zyrtare, ndërsa Xi i bëri shenjë Putinit të bashkohej me të.
Samiti i shërbeu gjithashtu X-it për t’u paraqitur si lider i Jugut Global që i jep prioritet stabilitetit ekonomik, në kontrast me pasigurinë e shkaktuar nga politikat e tarifave dhe shkurtimi i ndihmës së jashtme të SHBA gjatë mandatit të Donald Trump.
“Duhet të shfrytëzojmë fuqinë e tregjeve tona të mëdha dhe komplementaritetin ekonomik midis shteteve anëtare dhe të përmirësojmë lehtësimin e tregtisë dhe investimeve,” tha Xi në fjalën e tij 14-minutëshe.
Ai premtoi 2 miliardë juanë (280 milionë dollarë) grante për shtetet anëtare të OKS-së këtë vit, si dhe 10 miliardë juanë shtesë (1,4 miliardë dollarë) kredi për konsorciumin bankar të OKS-së. Xi gjithashtu bëri thirrje për krijimin e një Banke Zhvillimi të OKS-së sa më shpejt.
Një hap përpara për Xi-në, Putinin dhe OKS-në?
Që nga themelimi në vitin 2001, OKS ka arritur pak rezultate konkrete dhe shpesh është kritikuar si një forum bosh për liderë kryesisht autoritarë që kërkojnë të kundërshtojnë rendin global të udhëhequr nga Perëndimi.
Këtë vit, Pekini përpiqet të tejkalojë këtë perceptim – samiti i Tianjinit miratoi një plan zhvillimi 10-vjeçar dhe nisma të tjera ekonomike dhe të sigurisë.
Megjithatë, blloku mbështetet gjithnjë e më shumë edhe në vlerën e tij simbolike, duke synuar të forcojë konturet e një rendi alternativ botëror ku Kina është “e para midis të barabartëve”.
Xi premtoi të kundërshtojë “hegjeminizmin”, “mentalitetin e Luftës së Ftohtë” dhe “praktikat e ngacmimit” – terma që Partia Komuniste Kineze i përdor zakonisht për të kritikuar SHBA pa e përmendur drejtpërdrejt.
Pjesëmarrja e kryeministrit indian Narendra Modi i dha gjithashtu peshë samitit.
Kjo ishte vizita e parë e Modit në Kinë pas shtatë vitesh dhe vjen në një kohë kur si Pekini ashtu edhe Nju Delhi po përpiqen të riparojnë marrëdhëniet e dëmtuara, përballë tarifave të ashpra amerikane dhe kritikave perëndimore për lidhjet e tyre me Rusinë.
Modi dhe Xi u takuan më 31 gusht dhe shprehën synimin për të ecur drejt normalizimit të marrëdhënieve, megjithëse analistët vërejnë se ende mbeten shumë dallime dhe se një “reset” i plotë është larg.
Megjithatë, Modi iu bashkua atmosferës ceremoniale – ai lavdëroi Xi-në, përshëndeti ngrohtësisht Putinin dhe më pas të dy shkuan së bashku për të biseduar miqësisht me udhëheqësin kinez.
Samiti arriti edhe një deklaratë të përbashkët ku u dënua sulmi terrorist në Pahalgam në Kashmirin indian më 22 prill, si dhe sulmet ajrore amerikane dhe izraelite në Iran në qershor.
Ky konsensus përfaqëson një hap të rëndësishëm, pasi më parë India kishte refuzuar të nënshkruante një deklaratë të ngjashme.
Pas samitit, më 3 shtator në Kinë do të mbahet një paradë e madhe ushtarake për të shënuar 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Shumë nga liderët e OKS-së do të qëndrojnë për të marrë pjesë, ndërsa Modi do të kthehet në Indi.
Më 2 shtator, mediat ruse raportuan se Putini kishte mbërritur në Pekin për bisedime me Xi-në dhe zyrtarët kinezë para paradës./Rferl/

Tajlanda pezullon marrëveshjen e paqes me Kamboxhian pas shpërthimit të një mine tokësore
Gjashtë të vdekur ndërsa Rusia godet objekte energjetike dhe banesore në Ukrainë
Gazetarja polake: Rusia shfrytëzon ndasitë e brendshme për të përhapur dezinformimin
Gjermania merr avionin e ri ‘rojtar fluturues’ Poseidon për të gjurmuar nëndetëset e Putinit
Gjenerali gjerman thotë se Rusia mund të nisë një sulm të kufizuar ndaj NATO-s në çdo kohë
Trump dhe Azia Qendrore arrijnë marrëveshje për minerale kritike në samitin e Uashingtonit