
Derisa rajoni evropian hyn në sezonin e tij të dytë dimëror në pandemi, qeveritë përballen sërish me një zgjedhje të vështirë – si ta mbajnë nën kontroll infeksionin, të shpëtojnë jetën e qytetarëve dhe të mbrojnë sistemet shëndetësore, duke shmangur masat e rrepta kufizuese që prekin ekonomitë dhe shëndetin mental të njerëzve, raporton Radio Evropa e Lirë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë raportoi se në fillim të nëntorit, shkalla e vdekjeve nga koronavirusi u rrit me 10 për qind në Evropë, që është i vetmi rajon në botë, përveç Azisë Qendrore, ku rastet e COVID-19 dhe vdekshmëria janë në rritje. Pse?
Pothuajse dy të tretat e infeksioneve globale vijnë nga rajoni evropian. Numri i vdekjeve nga COVID-19 ka rënë me afërsisht katër për qind në mbarë botën, ndërsa është në rritje vetëm në Evropë dhe Azinë Qendrore.
Evropa ka parë një rritje prej 50 për qind të infeksioneve që nga tetori, pavarësisht disponueshmërisë së lartë të vaksinave për COVID-19.
Infeksionet janë rritur ndjeshëm që nga hyrja në nëntor – me 1.8 milion raste dhe 24,000 vdekje në rajonin evropian – që përbëjnë 59 përqind të infeksioneve totale në botë dhe 48 përqind të vdekjeve totale. Për shkak të këtyre shifrave dhe parashikimeve statistikore, OBSH e ka shpallur Evropën “epiqendrën” e pandemisë.
Normat e vaksinimit kanë rënë muajt e fundit në Evropë, por gjithashtu ndryshojnë shumë nga vendi në vend. Për shembull, në Spanjë, pothuajse 80 për qind e popullsisë ishte vaksinuar, në Gjermani 66 për qind dhe në Rusi vetëm 32 për qind deri në tetor.
Mesatarisht, vetëm 47 për qind e njerëzve janë plotësisht të vaksinuar. Tetë shtete kanë tejkaluar 70 për qind të mbulimit të vaksinimit ndërsa në dy shtete shkalla është nën 10 për qind.
Aty ku vaksinimi është i ulët, shtrimet në spital janë në nivel të lartë, siç është rasti në shtetet baltike, në Evropën Qendrore dhe Lindore dhe në rajonin e Ballkanit.
Ndërsa më shumë se 90 për qind e popullsisë së rritur është plotësisht e vaksinuar në Irlandë, Maltë dhe Portugali.
Për shkak të numrit të lartë të shtrimeve në spital dhe pranimeve të pacientëve në njësitë e kujdesit intensiv, Bullgaria, Estonia, Letonia dhe Lituania janë shënuar si “shqetësime shumë të larta” nga Qendrat Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, një agjenci e Bashkimit Evropian me vendndodhje në Stokholm.
Vaksinat janë mjeti më i fuqishëm në luftën kundër një pandemie nëse ato përdoren në kombinim me masa të tjera, të cilat përfshijnë veshjen e maskave mbrojtëse, testimin, monitorimin e kontakteve, ruajtjen e distancës fizike dhe ventilimin e dhomave të mbyllura.