Dhjetëra mijëra qytetarë të Serbisë u mblodhën sot në Novi Sad në një tubim përkujtimor për 16 viktimat që humbën jetën saktësisht një vit më parë, kur ra mbulesa e ndërtesës së saporenovuar të Stacionit Hekurudhor në këtë qytet.
Një person mbijetoi, por me lëndime të rënda.
Tragjedia në Novi Sad, për të cilën kritikët thonë se zbuloi shumë më tepër sesa ndërtim të keq, shkaktoi protestën studentore më të madhe në Serbi që nga rënia e Sllobodan Millosheviqit.
Dijana Hrka, nëna e njërit prej viktimave, në fjalimin e saj të shkurtër para qytetarëve të mbledhur, i dërgoi mesazh presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç se duhet të shpallen zgjedhje dhe njoftoi grevë urie para Kuvendit të qytetit, përballë “Ćacilendit”.
Presidenti i shtetit nuk ishte në Novi Sad, asnjë anëtar tjetër i regjimit. Është e qartë – nga frika. Në zyrat e Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në Bulevarin e Oslobodjenjes në Novi Sad, sot ishin ulur grilat gjatë mbajtjes së ceremonisë përkujtimore. Nga shenjat e SNS, i vetmi që shihej ishte slogani “Srbija ne sme da stane” (“Serbia nuk duhet të ndalet”). Para zyrave të SNS ndodheshin disa roje sigurie.
Në vend që të shkonte në Novi Sad, Vuçiç shkoi në një vend të sigurt – në Kishën e Shën Savës në Beograd, ku liturgjinë përkujtimore e udhëhoqi patriarku Porfirije. Midis të pranishmëve ishte edhe kryetari i Kuvendit Popullor të entitetit të Bosnjë-Hercegovinës, Republika Srpska, Nenad Stevandiq. Megjithatë, munguan figurat kryesore të SNSD-së, përfshirë Milorad Dodikun.
Si të shfrytëzohet politikisht fuqia e mbledhur në rrugë?
Fillimisht, zemërimi i studentëve dukej si një britmë proteste kundër një sistemi politik të korruptuar, represiv dhe përgjegjës për punimet e dobëta ndërtimore në stacionin hekurudhor.
Por në muajt e fundit, gjithnjë e më shumë prej tyre e kanë formuluar më qartë kërkesën për zgjedhje të parakohshme parlamentare, për të mundësuar ardhjen e një klase të re politike.
Megjithë praninë e vazhdueshme në rrugë, Vuçiç ende mbetet në pushtet, shpesh duke i përshkruar demonstruesit si “frikacakë dhe plehra”, “terroristë”, ndërsa udhëheq një aparat shtetëror nën kontroll të plotë të partisë së tij.
Përballë këtij ngurtësimi, studentët po mendojnë për hapat e ardhshëm dhe jo gjithmonë janë të bashkuar.
Dhjetorin e kaluar, kur u mblodhën për herë të parë në plenume demokratike për të diskutuar taktika dhe strategji, uniteti u ndërtua mbi refuzimin e përbashkët për të marrë pjesë në institucionet ekzistuese politike.
Ai parim, dikur burim force, tani është bërë pikë ndarjeje.
Përçarja doli në pah javën e kaluar, kur Parlamenti Evropian miratoi, siç u tha, “dënimin më të ashpër ndaj qeverisë së Vuçiçit” deri tani. Ndërsa disa e mirëpritën këtë shenjë mbështetjeje, studentët e Fakultetit të Filozofisë në Novi Sad publikuan një deklaratë duke iu kundërvënë, siç thanë ata, “përpjekjeve të qarta për të bashkuar me forcë lëvizjen studentore”.
Një tjetër pikë përplasjeje brenda lëvizjes është kërkesa për zgjedhje të parakohshme. Ata që e mbështesin këtë ide kanë filluar të formojnë një listë zgjedhore që, sipas tyre, përfshin njerëz jashtë sistemit të rrënjosur partiak të vendit.
Një pjesë e madhe e shoqërisë serbe e mbështet këtë kërkesë dhe i bën thirrje të gjitha partive opozitare të bojkotojnë zgjedhjet si shenjë mbështetjeje për kandidatët e studentëve. Dy parti opozitare tashmë kanë njoftuar se do ta bëjnë këtë.
Është e qartë për të gjithë – jo vetëm për ata në Serbi që po protestojnë prej një viti, por edhe brenda radhëve të regjimit dhe në shtetet fqinje – se Serbia duhet të ndryshojë. Por kjo do të thotë një ndryshim rrënjësor, të gjithanshëm, nga themelet.
Një ndryshim që duhet të nënkuptojë edhe një transformim të vetëdijes së shoqërisë, një të mësuar të ri të së kaluarës së shtetit serb, në mënyrë që, përmes këtij pastrimi mendor, të bëhet një hap tektonik drejt një të ardhmeje më të mirë.
/The Geopost

Parullat shoviniste në Serbi: Shqiptarët fyhen njëlloj nga përkrahësit edhe kundërshtarët e pushtetit
Spastrimet ushtarake të Xi-së tregojnë pasiguri për forcat bërthamore të Kinës
Abuzimi me dhimbjen: Si mediat e regjimit përdorin serbët nga Kosova për qëllime politike
Anëtari i NATO-s, Rumania, gjen fragmente dronësh pas sulmeve ruse në portet ukrainase
Tajlanda pezullon marrëveshjen e paqes me Kamboxhian pas shpërthimit të një mine tokësore
Gjashtë të vdekur ndërsa Rusia godet objekte energjetike dhe banesore në Ukrainë