
Zyrtarët e lartë serbë, ministri i financave Sinisha Mali, por edhe mediat proqeveritare në Serbi, pas takimit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq me presidentin rus Vlladimir Putin në Soçi, nuk rreshtin së lavdëruari çmimet, sipas tyre, më të ulëta të gazit në Evropë, por e vërteta është ndryshe.
Siç tha Vuçiq, çmimi i gazit rus prej 270 dollarë për 1000 metër kub është i jashtëzakonshëm, ndërsa Mali deklaroi se Serbia do të ketë çmimin më të ulët në Evropë. Është e padiskutueshme që Vuçiq dhe “vrapuesit besnikë” të tij po mbledhin pikë për zgjedhjet e ardhshme në bazë të të pavërtetës të
cilën po e paraqesin.
Të dhënat e disponueshme tregojnë se Serbia nuk është as afër vendit të parë me çmimin më të ulët dhe më të mirë të gazit, siç prezantohet nga autoritetet serbe.
Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko mund të krenohet me faktin se vendi I tij e ka çmimin më të ulët të gazit në Evropë, e jo ai i Serbisë, sepse Minsku ende paguan bindshëm çmimin më të ulët prej 128 dollarë për 1000 metër kub për gazin rus. Por edhe Turqia ka një çmim më të
mirë se Serbia, ajo paguan 210 dollarë për 1000 metër kub gaz, sikur edhe Gjermania, e cila gjithashtu paguan çmim më të ulët se Serbia, 230 dollarë për 1000 metra kub.
Nëse ndonjë vend tjetër evropian paguan çmim më të ulët për gazin, mbetet e panjohur, pasi shumë prej tyre e mbajnë sekret çmimin e gazit rus, pra marrëveshjen që nënshkruajnë me Moskën.
Çmimi i pandryshuar i gazit vlen për gjashtë muaj, por çfarë do të ndodhë pas skadimit të periudhës së planifikuar? Nuk përjashtohet mundësia që atëherë të rritet çmimi, ose presidenti serb të ndërmarrë edhe disa hapa në favor të Rusisë për të marrë një çmim të pranueshëm për gazin në
këmbim, siç ka bërë ai deri tani.