Ndryshimet programore në transmetuesin publik të Sllovenisë kanë ngjallur shqetësime në opinion se të njëjtat do të mund të frenojnë gazetarinë kritike dhe kështu të përfitojë qeveria e qendrës së djathtë, e drejtuar nga Janez Jansha, përcjell The Geopost.
Gazetarët dhe avokatët e shtypit të lirë vlerësojnë se të gjitha këto ndryshime bëhen për të siguruar favore për partitë qeverisëse në prag të zgjedhjeve, që pritet të mbahen më 24 prill të vitit 2022.
Ndryshimet, të miratuara nga këshilli programor i RTV Sllovenisë më 29 nëntor, shkurtojnë ose shfuqizojnë disa programe kryesore të lajmeve, ndërsa të tjerat kalojnë në një kanal të dytë më pak të shikuar.
“Pavarësisht nëse reformat e propozuara janë të dizajnuara për të frenuar gazetarinë politike kritike, ndikimi i tyre konkret do të ishte zvogëlimi i aftësisë së RTV-së për të informuar publikun dhe për të shqyrtuar qeverinë”, ka thënë për Zërin e Amerikës, Laurens C. Hueting, zyrtar i lartë i avokimit pranë Qendrës Evropiane për Shtypin dhe të Lirisë së Medias.
Reagime kanë ardhur edhe nga shumica e gazetarëve të programeve informative të TV Sllovenisë, të cilët kan nënshkruar edhe një peticion për të kundërshtuar planin.
“Ne duam ndryshime, ne duam një organizim më të mirë të punës, por plani i miratuar do të shpërndajë raportimin e lajmeve në disa kanale dhe kështu do të zvogëlojë interesin e njerëzve për lajmet tona. Pra, rëndësia jonë do të ulet", i ka thënë Zërit të Amerikës spikeri i lartë i TV Slloveni, Igor Evgen Bergant.
Menaxhmenti i televizionit ka refuzuar të jape detaje për ndryshimet, por gazetarët kanë njoftuar se të gjitha debatet politike përpara zgjedhjeve parlamentare të 24 prillit kalojnë në kanalin e dytë. Përveç kësaj, sipas gazetarëve, ndërsa emisioni kryesor i lajmeve të mbrëmjes “Dnevnik” do të shkurtohet me pothuajse një të tretën e kohëzgjatjes.
Peticioni i gazetarëve fitoi mbështetjen publike të një numri universitetesh, akademikësh, diplomatësh sllovenë, sindikatave, odave të biznesit dhe instituteve publike.
“Është e vështirë të provohet nëse qeveria aktuale qëndron pas këtyre vendimeve”, ka thënë Marko Milosavljeviq, profesor i gazetarisë në Universitetin e Lubjanës. Megjithatë, ka shtuar ai, “një margjinalizim i tillë i programit informativ me siguri mund t’i sjellë dobi kësaj qeverie”.
Transmetuesi merr pjesën më të madhe të të ardhurave të tij nga parapagimi i detyrueshëm nga shumica e amvisërive. RTV Slovenia drejtohet nga një Këshill Programi prej 29 anëtarësh i mandatuar për të vepruar në mënyrë të pavarur. Megjithatë, shumica e anëtarëve të këshillit, 21, emërohen nga parlamenti.