
RIGA – NATO duhet të vazhdojë politikën e saj ndaj Rusisë që e ka zbatuar gjatë viteve të fundit, e cila bën thirrje për parandalim ndaj çdo veprimi të mundshëm agresiv, veçanërisht kundër anëtarëve të aleancës, theksoi Ministri i Jashtëm Edgars Rinkevics (Uniteti i ri) për LETA-n përpara takimit të ardhshëm të Ministrave të jashtëm të NATO-s në Riga.
Duke folur për politikën e NATO-s ndaj Rusisë, ministri i Jashtëm tërhoqi vëmendjen për praninë e grupeve luftarake të nivelit të batalionit në shtetet baltike dhe Poloni dhe për çështje të tjera të mbrojtjes në të cilat po punohet. Situata është e ngjashme me mbështetjen e shtuar të NATO-s për aleatët e saj në Detin e Zi, Rumaninë dhe Bullgarinë.
“Në të njëjtën kohë, nevojitet një dialog për çështjet që lidhen me shkëmbimin e informacionit për të parandaluar dhe zvogëluar rreziqet e incidenteve në këtë mjedis të tensionuar. Duhet të flasim gjithashtu se si të parandalojmë përshkallëzimin në kufijtë e Ukrainës,” theksoi Rinkevics.
Ai theksoi se kishte pasur një rishpërndarje në shkallë të gjerë të pajisjeve ushtarake ruse dhe ushtarëve në prill dhe se diçka e ngjashme po ndodhte edhe kohëve e fundit. Sipas vështrimit të ministrit, ky problem duhet të diskutohet, poashtu edhe çështje që ndihmojnë në uljen e tensioneve deri diku, siç janë çështjet e kontrollit të armëve.
Duke pasur parasysh pezullimin e fundit të misionit rus në NATO, Rinkevics tha se Këshilli NATO-Rusi duhet të mblidhet me një farë rregullsie, që sipas ministrit nuk është një format i thjeshtë, pasi ndonjëherë ka një shkëmbim të mprehtë mendimesh, por as kjo nuk ka ndodhur.
“Për mendimin tim, kjo nuk do të thotë se NATO duhet të ndryshojë qasjen e saj – parandalimin, mbështetjen për të gjithë anëtarët dhe dialogun me Rusinë për çështje që ndihmojnë në parandalimin e incidenteve dhe uljen e tensioneve, për shembull në kufijtë e Ukrainës. Por duhen dy për tango.” tha ministri i Jashtëm.