Ish-ministri i Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Pandeli Majko, ka reaguar pas deklaratës së të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cili u shpreh se mercenarë nga Shqipëria dhe Kosova po dërgohen në zonën e Donbasit në Ukrainë për të nxjerrë jashtë ekuilibri Rusinë.
Majko e ka bërë këtë përmes një postimi në “Facebook”, ku e cilësuar këtë një deklaratë si të paprecedentë.
Ai ka publikuar edhe një lajm ku përcaktohen përkatësitë nacionale të vullnetarëve që kanë shkuar për të ndihmuar Ukrainën, pjesë e të cilëve nuk është as Shqipëria dhe as Kosova.
“Sergei Lavrov, Ministri i Jashtëm i Federatës Ruse ka bërë sot një deklarim të paprecedentë për “mercenarë” shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova të cilët po dërgohen në zonën e Donbasit në Ukrainë. Përpara se Ambasada e Federatës Ruse në Tiranë të japë shpjegime (nëse do ta bëjë)… Kanali Televiziv WION i Indisë ka bërë një kronikë të veçantë për “hartën” e përkatësisë nacionale të vullnetarëve që kanë shkuar për të ndihmuar Ukrainën”, shkruan Majko.
Në një konferencë të përbashkët për media me ministren e jashtme të Greqisë, Sergei Lavrov, ka thënë se mercenarë nga Ballkani janë dërguar në këtë rajon.
“Kosova dhe disa pjesë të tjera të Ballkanit Perëndimor po bëhen një terren pjellor për krim. Ka terroristë, tregtarë droge. Është një terren rekrutimi për mercenarët që marrin pjesë në konflikte të cilat po nxiten gradualisht, duke përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara. Ka informacione se mercenarët po rekrutohen në Kosovë, Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë dhe po dërgohen në Donbass, ndër të tjera, për të nxjerrë jashtë ekuilibrit Rusinë. Ne po e rishikojmë këtë informacion”, ka thënë ministri i Jashtëm rus.
The Geopost