Republika e Maqedonisë së Veriut është anëtare e NATO-së, me status të vendit-kandidat për anëtarësim në BE, me raporte politikisht parimore e korrekte me fqinjët e saj. Ky pozicion nuk ka qenë i lehtë për tu arritur për këtë shtete. Vazhdimi i këtyre arritjeve duhet mbrojtur me maturi nga lidershipi i Maqedonisë së Veriut, edhe në rrethanat aktuale ku faktorët de-stabilizues rus janë angazhuar maksimalisht edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Padyshim është Republika e Serbisë ajo e cila ka interesin parësor të pengoj rrugëtimin e Maqedonisë së Veriut drejt perëndimit. Për pasojë ky interes përputhët e shfrytëzohet edhe nga Federata Ruse e cila nuk duhet lejuar të minojë arritjet e synimet e këtij vendi të Ballkanit Perëndimor.
Raportet dhe marrëdhëniet e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Serbisë, padyshim që kanë pasur pika largimi por edhe përafrimi. Tentimi i organeve të shërbimit informativ serb, për të penguar ndryshimet demokratike në 2017, përmes dhunës në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut kishte dështuar. Kur demonstruesit e partisë VMRO-DPMNE në prill të 2017 u futën në ndërtesën e parlamentit maqedonas, për të penguar zgjedhjen e kreut të Parlamentit nga radhët e një partie shqiptare, ndodhi incidenti më i madh i cili shpërfaqi vullnetin për ndikim të Serbisë në ndryshimet demokratike. Mes demonstruesve ndodhej edhe një pjesëtar i Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA) si dhe punëtor i ambasadës së Serbisë në Shkup, Goran Zhivaleviq. Largimi e ftohja e raporteve mes Shkupit e Beogradit ishte evident. Largohet personeli i ambasadës serbe nga Shkupi. Maqedonia e Veriut vazhdon rrugëtimin e saj drejtë hapave integrues për në Bashkimin Evropian me Qeverinë e Zaevit për të vazhduar me Qeverinë e Kovaçevskit.
Ndikimi i Serbisë, e përmes saj i Rusisë në Maqedoni të Veriut bëhet edhe më prezent kur forca të brendshme politike shfrytëzojnë situata për të nxitur qytetarët ndaj ndryshimeve demokratike dhe largim nga orientimi euro-integrues i vendit. Këto forca politike të brendshme të cilat tradicionalisht kanë raporte me Serbinë, janë të angazhuara me gjithë kapacitetin e tyre sidomos pas ndryshimeve demokratike të ndodhura në vend. Plotësimin e standardeve e kërkesave nga Bashkimi Evropian për Maqedoninë e Veriut, këto forca politike provojnë ta prezantojnë si prishje e rendit kushtetues e kombëtar të Maqedonisë së Veriut dhe se ato nuk duhet pranuar. Synimi i tyre nuk duket të jetë ruajtja e rendit kushtetues e kombëtar të Maqedonisë së Veriut, sa distancimi nga këto integrime dhe ruajtja e raporteve ku për bazë do të kenë ortodoksin si lidhje mbajtëse.
Në një studim mbi propagandën dhe lajmet e rreme nga Rusia në Maqedoninë e Veriut nxjerr në pah prirjet për krijimin e një fryme anti-perëndimore tek publiku në këtë vend ballkanik, si dhe pengimin e integrimit euro-atlantik të tij. Siç shkruan Zëri i Amerikës, një organizatë jo-qeveritar në Shkup “Most”, e cila e bëri studimin thotë se synimi i tillë nxitë ndarje në Maqedoninë shumë-etnike dhe demokratike. Sipas studimit, ekzistojnë rrjete “mirë të zhvilluara” në rrjetin social Facebook që përforcojnë dezinformatat dhe manipulimet ruse. Rrugët të cilat shfrytëzohet për këto dezinformata, vlerësohet se kryesisht vinë nga Serbia nga se janë më të kuptueshme për publikun.
Ngritja e frymës anti-perëndimore në Maqedoni të Veriut do t’i konvenonte vetëm atyre që nuk i shohin faktet. Ky shtete është anëtar i NATO-së dhe prekja me të do të thotë prekje me NATO-në. Operacionet ruse për ndikim me siguri qëllim thelbësor kanë nxitjen e ndarjeve shoqërore, por edhe minimin e besimit tek institucionet e shtetit. Shfrytëzimi i rrethanave nga Serbia për t’i hedhur gaz edhe ngjarjeve më periferike të cilat mund të zhvillohen ne Maqedoni të Veriut, u konvenon forcave të brendshme të cilat, siç e thamë tradicionalisht kanë raporte me të, si dhe Federatës Ruse, e assesi shtetit të Maqedonisë së Veriut.
Për këtë, Shkupi zyrtar duhet të jetë më i matur dhe kujdesshëm që ta tejkaloj çdo tentim destabilizues dhe që thyen Maqedoninë e Veriut nga rrugëtimi i saj drejt euro-integrimeve. /TheGeopost