Mediat ruse Russia Today dhe Sputnik do të ndërpriten në Mal të Zi nga e mërkura, më 20 prill, vendosi unanimisht Këshilli i Agjencisë për Media Elektronike (AEM).
Me këtë vendim, Podgorica zyrtare është në përputhje me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian (BE) në monitorimin e masave ndaj Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Edhe pse më 1 mars Mali i Zi kishte paralajmëruar se do t’i bashkohet sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, Qeveria e këtij vendi më 8 prill, pas disa vonesave, vendosi për aplikimin e sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të pushtimit ushtarak të Ukrainës.
Vendimi u publikua një javë më vonë, më 14 prill në Gazetën Zyrtare, pas së cilës formalisht u plotësuan kushtet që institucionet shtetërore të fillojnë të aplikojnë sanksione ndaj Federatës Ruse, kompanive dhe individëve nga ai vend.
Këshilli i AEM nuk ka shpjeguar pse ka pritur gjashtë ditë nga botimi i Vendimit në Gazetën Zyrtare për të caktuar një seancë në të cilën vendosi të ndërpresë Russia Today dhe Sputnik, transmetimi i të cilëve u ndalua nga Bashkimi Evropian më 2 mars.
“Këshilli AEM deklaroi se, me hyrjen në fuqi të Vendimit të Qeverisë për Masat Kufizuese ndaj Russia Today dhe Sputnik, të gjithë ofruesit e shërbimeve janë të detyruar t’i përjashtojnë pa vonesë ato programe dhe përmbajtjen e tyre nga oferta e tyre. Kjo nënkupton pezullimin e të gjitha lejeve. Për emetim, transmetim dhe shpërndarje në çdo platformë”, thuhet në njoftimin e Këshillit të AEM.
Sipas vendimit të Qeverisë, Agjencia për Media Elektronike si rregullator është përgjegjëse për zbatimin dhe kontrollin dhe respektimin e këtij vendimi.
Organet kompetente të Agjencisë do të përdorin të gjitha masat për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në njoftim.
Më 2 mars, BE-ja ndaloi transmetimin e mediave të qeverisë ruse dhe sanksionet mbulojnë të gjitha mjetet e transmetimit dhe shpërndarjes./RSE