Liderët e NATO-s i kanë kërkuar presidentit rus, Vladimir Putin, që “të ndalojë menjëherë këtë luftë dhe të tërheqë forcat ushtarake nga Ukraina”.
Ata i bëjnë gjithashtu thirrje Bjellorusisë që të përfundojë bashkëpjesëmarrjen në pushtimin e Rusisë.
Ata, në deklaratën e përbashkët pas samitit për Ukrainën, kanë thënë se po marrin masa për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e aleatëve në të gjitha fushat.
“Ne po rrisim qëndrueshmërinë e shoqërive tona dhe infrastrukturës sonë për të kundërshtuar ndikimin keqdashës të Rusisë”, thuhet në deklaratë, ku gjithashtu përmenden masat kundër sulmeve kibernetike.
Udhëheqësit e aleancës veri-atlantike vlerësuan popullin e Ukrainës, duke thënë se kanë “frymëzuar botën me rezistencën heroike ndaj luftës brutale të Rusisë”.
Armët kimike do të ndryshojnë krejtësisht natyrën e konfliktit
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, thotë se është i shqetësuar sepse Rusia po përpiqet të akuzojë Ukrainën dhe aleatët e saj se po përgatiten të përdorin armë kimike, derisa thotë se duke akuzuar të tjerët është një mënyrë e tyre për të krijuar një pretekst për të bërë të njëjtën gjë vetë.
Ai thotë se këto akuza kundër Ukrainës dhe aleatëve të NATO-s nuk janë të vërteta.
“Çdo përdorim i armëve kimike do të “ndryshojë tërësisht natyrën e konfliktit” pasi do të ishte “një shkelje e hapur e ligjit ndërkombëtar” dhe do të ishte jashtëzakonisht e rrezikshme. Kjo do të prekte jo vetëm njerëzit në Ukrainë, por edhe vendet potenciale të NATO-s për shkak të përhapjes së kontaminimit”, tha Stoltenberg.
NATO pajtohet për ta forcuar mbrojtjen lindore
Udhëheqësit e aleancës ushtarake perëndimore të NATO-s, janë dakorduar që të forcojnë mbrojtjen e tyre në lindje si përgjigje e pushtimit rus të Ukrainës.
“Kemi aktivizuar planet e mbrojtjes së NATO-s, kemi vendosur elementë të Forcës së Reagimit të NATO-s dhe kemi vendosur 40,000 trupa në krahun tonë lindor,” thuhet në një deklaratë të përbashkët pas bisedimeve në Bruksel, raporton BBC, transmeton Klan Kosova.
Shefi i Aleancës Jens Stoltenberg tha më herët se katër grupe të reja beteje do të dërgohen në Sllovaki, Hungari, Bullgari dhe Rumani.
NATO premton më shumë furnizime ushtarake dhe mbështetje kibernetike për Ukrainën
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka treguar se për çfarë janë dakorduar për të ndihmuar tutje Ukrainën.
Ai thotë se ka një “realitet të ri sigurie”.
Në tokë, do të ketë shumë më shumë forca në pjesën lindore të aleancës të cilët do të jenë në një gjendje më të lartë gatishmërie.
Në ajër, do të vendosen më shumë avionë, dhe në det, do të ketë grupe sulmi transportues, nëndetëse dhe anije luftarake në baza të vazhdueshme.
Dhe përveç më shumë furnizimeve ushtarake, mbrojtja kibernetike po forcohet gjithashtu dhe NATO do të ndihmojë gjithashtu Ukrainën të mbrohet kundër kërcënimeve bërthamore dhe biologjike.