Kongresmeni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ritchie Torres, ka thënë se ndërsa Serbia afrohet me Rusinë, Kosova mbetet një aleat i palëkudur i Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Pas një sondazhi të fundit të zhviluar në Serbi, për sa i përket përkrahjes së qytetarëve për integrim në Bashkim Evropian, ka rezultuar se 44% e tyre kanë qenë kundër dhe vetëm 33% pro.
Pas kësaj, kongresmeni Torres shkroi në rrjetin social Twitter, duke shtuar se Kosova duhet të bëhet pjesë e BE-së dhe NATO-s.
As Serbia moves closer to Russia, Kosovo remains an unwavering ally of both the US and EU.
Kosovo should be a member of both the EU and NATO. https://t.co/iGBGBUpGlT
— Ritchie Torres (@RitchieTorres) April 24, 2022
Mesazhet që u dhanë nga vizita e delegacionit amerikan në Kosovë dhe Serbi
Gjatë kësaj jave, përkatësisht në datat 25 dhe 26 prill, një delegacion amerikan i udhëhequr nga Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, kanë vizituar Prishtinën dhe Beogradin.
Në vizitën e saj në të dy vendet, Donfried theksoi rëndësinë e rifillimit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që këto vende të integrhen në BE dhe NATO.
Tutje, ajo ka shtuar se status quo-ja i shërben përfitimeve të Kremlinit, meqë Rusia dëshiron të shkatërrojë çdo unitet demokratik në Ballkanin Perëndimor.
“Ne i japim prioritet mbështetjes së procesit të dialogut, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, dhe t’i ndihmojmë Kosovës që të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë, duke pasur në qendër njohjen e ndërsjellë. Status quo-ja është paqëndrueshme. Jo vetëm që e pengon të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë, mirëpo nga kjo përfiton Kremlini. Rusia dëshiron të shkatërrojë çdo unitet dhe konsolidim demokratik në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Donfried, gjatë vizitës së saj në Kosovë.
Thirrje që Kosova t’i bashkohet NATO-s janë bërë edhe nga udhëheqësit e vendit. /TheGeopost/