Ndërsa presidenti i ishullit vetëqeverisës Tajvan, është takuar të hënën me anëtarët e një delegacioni të ri të Kongresit të ShBA-së, Kina ka njoftuar për më shumë stërvitje ushtarake rreth vendit, duke kërcënuar të rinovojë tensionet midis Pekinit dhe Uashingtonit.
Vizita e delegacionit amerikan vjen vetëm disa ditë pas një vizite të ngjashme të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, Nancy Pelosi e cila zemëroi Kinën duke nxitur kërcënime të shumta.
Pelosi ishte anëtarja e nivelit më të lartë të qeverisë amerikane që vizitoi Tajvanin në 25 vjet dhe udhëtimi i saj shkaktoi gati dy javë ushtrime ushtarake kërcënuese nga Kina, e cila pretendon se ishulli është i veti. Gjatë këtyre stërvitjeve, Pekini hodhi raketa mbi ishull dhe në ngushticën e Tajvanit dhe dërgoi avionë luftarakë dhe anije të marinës përtej vijës së mesme të rrugës ujore, e cila ka qenë prej kohësh një tampon midis palëve që u ndanë mes luftës civile në 1949.
Ndërkohë, Kina akuzon ShBA-në për inkurajimin e pavarësisë së ishullit përmes shitjes së armëve dhe angazhimit mes politikanëve amerikanë dhe qeverisë së ishullit. Por, Uashingtoni thotë se nuk e mbështet pavarësinë, nuk ka lidhje zyrtare diplomatike me ishullin dhe pohon se të dyja palët duhet ta zgjidhin mosmarrëveshjen e tyre në mënyrë paqësore – megjithatë, është ligjërisht i detyruar të sigurojë që ishulli të mund të mbrohet nga çdo sulm.
“Kina do të marrë masa të vendosura dhe të forta për të mbrojtur sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin në një konferencë ditore të hënën, pasi Pekini njoftoi stërvitje të reja në detet dhe qiejt përreth Tajvanit.
“Një grusht politikanësh amerikanë, në bashkëpunim me forcat separatiste të pavarësisë së Tajvanit, po përpiqen të sfidojnë parimin e “një Kine”, shtoi më tej ai.
Ndërsa, më herët gjatë ditës ministria e Mbrojtjes së Kinës tha se stërvitjet e reja janë “përgjigje kundër marrëveshjeve të fshehta dhe provokuese midis ShBA-së dhe Tajvanit.”
Ligjvënësit amerikanë, të udhëhequr nga senatori demokrat Ed Markey nga Massachusetts, u takuan me presidenten tajvaneze Tsai Ing-wen.
Edhe pse Kina thotë se dëshiron të përdorë mjete paqësore për të vënë nën kontrollin e saj Tajvanin, në zhvillimet e fundit ajo ka theksuar kërcëimin e saj për të marrë ishullin me forcë ushtarake.
Duket se stërvitjet e mëparshme ishin një provë e një bllokade ose sulmi ndaj Tajvanit që do të detyronte anulimin e fluturimeve komerciale dhe pengonte transportin në portet kryesore të Tajvanit, si dhe ngarkesat që kalonin përmes ngushticës së Tajvanit, një nga korsitë më të ngarkuara të transportit në botë.
Këto stërvitjet e shtynë Tajvanin të vinte ushtrinë e tij në gatishmëri, por u përballën kryesisht me sfida ose apati në mesin e publikut të mësuar të jetojë në hijen e Kinës.
“Vizita amerikane në këtë kohë është e një rëndësie të madhe, sepse stërvitja ushtarake kineze ka (qëllim) të pengojë kongresmenët amerikanë të vizitojnë Tajvanin”, tha pas takimit me zyrtarët amerikanë, Lo Chih-cheng, kryetar i Komitetit të Mbrojtjes së Jashtme dhe Kombëtare të legjislaturës së Tajvanit.