Kryeqyteti i Ukrainës u shënjestrua nga dronët herët të hënën, tre ditë pas asaj që autoritetet lokale thanë se ishte një nga sulmet më të mëdha të Rusisë ndaj Kievit që nga fillimi i luftës.
Administrata e qytetit të Kievit njoftoi në Telegram se më shumë se 20 dronë iranianë u regjistruan në hapësirën ajrore dhe se të paktën 15 u rrëzuan.
Ai shtoi se është goditur një pikë kritike e infrastrukturës, pa dhënë detaje.
Guvernatori i Oblastit të Kievit, Oleksiy Kuleba, shkroi se disa objekte infrastrukturore u dëmtuan, si dhe shtëpi private dhe të paktën dy persona u plagosën.
Kryebashkiaku i Kievit Vitali Klitschko tha se shpërthime u dëgjuan në dy rrethe, Shevchenkovsky dhe Solomyansky.
Ai bëri të ditur se aktualisht nuk ka viktima të regjistruara dhe se në këtë zonë po punojnë edhe shërbimet emergjente.
Forcat ajrore të Ukrainës thanë se shkatërroi 30 nga të paktën 35 dronë vetë-shpërthyes të lëshuar nga Rusia nga ana lindore e Detit Azov.
Një front i ri në Bjellorusi?
Presidenti rus Vladimir Putin është planifikuar të udhëtojë në Bjellorusi, duke nxitur frikën e Ukrainës se ai synon të bëjë presion ndaj aleatit të tij për t’iu bashkuar ofensivës, thanë zyrtarët ukrainas.
Trupat ruse që janë zhvendosur në Bjellorusi do të kryejnë stërvitje taktike të batalionit, njoftoi Interfax nga Ministria ruse e Mbrojtjes.
Vizita e Putinit në Bjellorusi vjen pas një pengese në fushën e betejës, duke nxitur spekulimet se Minsk mund të hapë sërish një front të ri kundër Ukrainës./AP, Zëri i Amerikës/