Kur në gusht të vitit 2020 monitorët e parë digjitalë u vendosën në stacionet e autobusëve të Prishtinës, aty nuk shfaqej orari i transportit urban. Kompania kineze, që kishte prodhuar këto monitorë, kishte vendosur të reklamojë veten derisa të instalohej itinerari i autobusëve apo të vijnë reklama vendase. Në këto ekrane të mëdha me sfond të zi shfaqej vetëm brendi MIPS dhe disa shkronja në gjuhën kineze.
Qytetarët kryesisht ishin të kënaqur. Më në fund do të kenë mundësi të shohin në ekrane se kur do të vijë autobusi që i dërgon në destinacionin e duhur. Megjithatë, këta monitorë kanë të instaluar edhe kamera. Në faqen ku jepet përshkrimi i këtij lloji të aparatit, ndër specifikimet mund të hetohet fakti se kjo kamerë kineze nga MIPS ka aftësinë të zbulojë dhe të njohë fytyrat.
Ekspertët e teknologjisë informative shprehen të shqetësuar për privatësinë e qytetarëve. Eksperti i sigurisë kibernetike, Dion Mulaj, në një prononcim për The Geopost, e ka konsideruar shqetësuse vendosjen e këtyre aparatëve në Kosovë. “Teknologjia kineze është jashtëzakonisht e rrezikshme, jo vetëm në baza individuale, por edhe në ato nacionale dhe teknologjitë e tilla duhet të ndalohen për implementim në Republikën e Kosovës”, ka thënë Mulaj.
SHQETËSIMI AMRIKAN PËR MIPS
Kompanitë kineze në vitet e fundit raportohet të kenë shtuar investimet në fushën e teknologjisë për të rritur fuqinë ekonomike e rrjedhimisht edhe ndikimin. Plani kinez që deri në vitin 2025 të dominojë tregun në fushën e teknologjisë shihet shqetësues në dokumente të ndryshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA). Uashingtoni ka përmendur programin e 2025-ës si shkak për marrjen e masave të sigurisë kombëtare me të cilat ndalohet që Kina të ketë qasje në teknologjinë amerikane. “Në dokumentet e politikave të tilla si Made in China 2025, Kina ka artikuluar listën e synuar të sektorëve të teknologjisë që kërkon të dominojë. Pjesa më e madhe e sjelljes së investimeve të fundit kineze duket në përputhje me këtë listë të synuar”, thuhet në një dokument Zyrës së Politikës së Tregtisë dhe Prodhimit të Shtëpisë së Bardhë, që mban datën e qershorit të vitit 2018.
Megjithë përpjekjet e qeverisë amerikane për të bllokuar shitjen e MIPS, pionier i procesorëve RISC jashtë shtetit, teknologjia bazë është licencuar dhe tani po kontrollohet nga një kompani me bazë në Shangai. Në vitin 2017 MIPS u ble nga Tallwood Ventures për të mbajtur teknologjinë në SHBA, si pjesë e kushteve të vendosura për shitjen e pronarit Imagination te fondi i kapitalit Canyon Bridge. Më pas pronësia e teknologjisë MIPS zhvendoset disa herë që më në fund t’i caktohet kompanisë “CIP United Co. Ltd”, e regjistruar në Shangai të Kinës. Fakti se në serinë komplekse të bartjes së pronësisë ishin të përfshira edhe kompani nga offshore shtete, që njihen si parajsa fiskale, ky operacion madje u quajt edhe një vjedhje e pronësisë intelektuale nga ana e Kinës.
Kështu, pionieri i çipave të Silicon Valley MIPS tani është pothuajse një kompani kineze. Sipas portalit Techradar.com, Kina përdor tani këtë teknologji te mikroçipave edhe për prodhimin e telefonave mobil Huawei.
Kjo kompani (MIPS), aparatet e së cilës janë vendosur në lokacione të ndryshme në kryeqytetin e Kosovës, është pjesë e planit kinez për vitin 2025 dhe kontribuon maksimalisht në përmbushjen e qëllimeve të Kinës.
Eksperti Mulaj ka thënë se është shqetësues fakti se pse këto pajisje posedojnë kamera. Por, ai ka theksuar se “më shqetësuese është fakti se deri tani nuk kam parë apo nuk e di se Komuna e Prishtinës ka publikuar ndonjë dokument që e qartëson origjinën dhe sistemin e kësaj pajisjeje për reklamim”.
Ndërkohë, në një prezantim të investitorëve në vitin 2019, për të cilin ka raportuar Reuters, tregohet se si kompania shtetërore kineze CIP kishte ndërmend të përdorte MIPS për të ndihmuar Kinën të kapte hapin me Shtetet e Bashkuara në teknologjinë e avancuar gjysmëpërçuese, e cila është kyçe për gjithçka – nga telefonat inteligjentë e deri te armatimet e sofistikuara. “Licenca MIPS premton të sigurojë teknologji thelbësore që do të ndihmojë Kinën të zbatojë qëllimin ambicioz të Made in China 2025″, thuhej në prezantim, duke iu referuar një programi qeveritar për të arritur vetë-mjaftueshmërinë në industritë strategjike.
Agjencitë e informacionit dhe privatësisë theksojnë se video-survejimi, i cili identifikon individët, nuk lejohet të instalohet në asnjë institucion apo vend.
“Duhet të bëhet sqarimi se si këto pajisje ruajnë imazhet e reklamave dhe a ruajnë imazhe apo incizime nga kamera – pra a ruhen ato lokalisht në pajisje apo në ndonjë cloud shërbim”, ka thënë Mulaj.
Sipas tij, teknologjia kineze është jashtëzakonisht e rrezikshme jo vetëm në baza individuale, por edhe në ato nacionale. “Duke pasë parasysh se Republika e Kosovës ka orientim pro-perëndimor, shtetet si Kina mundohen që të rrisin ndikimin dhe influencën për informatë përmes teknikave të ndryshme. Pra, meqenëse e gjithë lufta moderne është lufta e informacionit, sipas mendimit tim, teknologjitë e tilla duhet të ndalohen për implementim në Republikën tonë”, ka thënë eksperti Mulaj.
The Geopost nuk ka arritur të sigurojë ende një informacion zyrtar për prejardhjen e kësaj teknologjie. Edhe pse redaksia jonë ka dërguar disa pyetje në këtë temë në adresë të Doganës së Kosoves, deri në publikim të këtij artikulli nuk ka marrë asnjë përgjigje.
MODELI I SHTETIT TOTALITAR DIGJITAL
Viteve të fundit Kina vlerësohet të ketë rritur aftësinë për të spiunuar rreth 1.4 miliardë shtetasit e saj në nivele të reja dhe shqetësuese, duke i dhënë botës një plan se si të ndërtojë një shtet totalitar digjital. Autoritetet kineze nëpërmjet kamerave për njohjen e fytyrës mbledhin informacione të ndjeshme jo vetëm në Kinë, por edhe në shtetet tjera ku kanë qasje në sistemet moderne teknologjike. Të dhënat e grumbulluara nga kamerat më pas kombinohen me të dhënat tjera duke nxjerrë kështu informacionet e dëshiruara.
Shërbimi ballkanik i Radios Evropa e Lirë (REL) ditë më parë raportoi se edhe Kosova rrezikohet nga teknologjia kineze e survejimit, e cila po instalohet me financim nga Beogradi në disa rajone jashtë kontrollit të qeverisë së Kosovës. Sipas REL, një autoritet i përkohshëm me shumicë serbe në Kosovën juglindore ka nënshkruar një marrëveshje muajin e kaluar për blerjen e kamerave të vogla të vëzhgimit, të regjistruesve digjitalë dhe të pajisjeve tjera në vlerë prej dhjetëra mijëra eurosh nga kompania Zhejiang Dahua Technologies. Kjo kompani gjendet në listën e zezë të SHBA-së për shkak të monitorimeve jolegale.
Administrata e presidentit të SHBA-ve, Joe Biden, vendosi së fundmi kufizime tregtare edhe për më shumë se 30 institute kërkimore dhe entitete kineze. Shkak ishte shkelja e të drejtave të njeriut dhe zhvillimin e supozuar të teknologjive, të tilla si armët e kontrollit të mendjes, që minojnë sigurinë kombëtare të SHBA-së. Sipas një njoftimi në Regjistrin Federal, Departamenti i Tregtisë akuzoi Akademinë e Shkencave Mjekësore Ushtarake të Kinës dhe 11 institutet e saj kërkimore për shfrytëzimin e bioteknologjisë për “arritjen e qëllimeve ushtarake kineze nëpërmjet përdorimit të armëve të supozuara për kontroll të trurit”.