Izraeli kritikoi ashpër Rusinë të hënën duke i cilësuar “të pafalshme” komentet e ministrit të jashtëm Sergei Lavrov për nazizmin dhe antisemitizmin, përfshirë pretendimin se Adolf Hitleri ishte hebre. Izraeli, i cili thirri ambasadorin rus lidhur me këtë çështje, tha se ato komente fajësonin hebrenjtë për vrasjen e vetë atyre në Holokaust.
Ky incident shënon një rënie të madhe në marrëdhëniet midis dy vendeve, në një kohë kur Izraeli ishte përpjekur të mbante një pozicion neutral në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës dhe të ruante marrëdhëniet e mira me Rusinë për nevojat e tij të sigurisë në Lindjen e Mesme.
I pyetur në një intervistë për një kanal televiziv italian në lidhje me pretendimet ruse se sulmi ndaj Ukrainës po bëhet për të “denazifikuar” Ukrainën, Sergei Lavrov tha se Ukraina mund të ketë ende elementë nazistë ndonëse disa figura të rëndësishme, përfshirë presidentin e vendit, janë hebrenj.
“Edhe Hitleri kishte origjinë hebreje, kështu që kjo nuk do të thotë asgjë”, tha zoti Lavrov, duke folur për kanalin italian në rusisht.
Në disa nga komentet më të ashpra që nga fillimi i luftës në Ukrainë, ministri i Jashtëm izraelit Yair Lapid e quajti deklaratën e zotit Lavrov “të pafalshme dhe skandaloze dhe një gabim të tmerrshëm historik”.
“Niveli më i rëndë i racizmit kundër hebrenjve është të fajësosh vetë hebrenjtë për antisemitizëm”, tha ai.
Drejtuesit e Memorialit të Holokaustit “Yad Vashem” në Izrael, i quajtën komentet e zotit Lavrov si “absurde, delirante, të rrezikshme dhe që meritojnë të dënohen”.
“Lavrovi po promovon përmbysjen e Holokaustit, duke i kthyer viktimat në kriminelë mbi bazën e promovimit të një pretendimi krejtësisht të pabazë se Hitleri ishte me origjinë hebreje”, thuhet në një deklaratë.
Nazizmi është pjesë e rëndësishëm e justifikimit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Në përpjekjen e tij për të legjitimuar luftën për qytetarët rusë, Presidenti Vladimir Putin e ka portretizuar betejën si një luftë kundër nazistëve në Ukrainë, edhe pse Ukraina ka një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe një president hebre, të afërmit e të cilit u vranë në Holokaust.
Ukraina i dënoi gjithashtu komentet e zotit Lavrov.
“Duke u përpjekur të rishkruajë historinë, Moska thjesht po kërkon argumente për të justifikuar vrasjet masive të ukrainasve”, shkroi në Twitter këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak.
Lufta e Dytë Botërore, në të cilën Bashkimi Sovjetik humbi rreth 27 milionë njerëz dhe ndihmoi në mposhtjen e Gjermanisë naziste, është një pikë kyçe e identitetit kombëtar të Rusisë. Përsëritja e kësaj e historie e vendos Rusinë në rolin e një shpëtimtari në luftën kundër forcave të liga, dhe e ka ndihmuar Kremlinin të marrë mbështetjen e rusëve në këtë luftë.
Për Izraelin, Holokausti është thelbësor në moralin e tij kombëtar dhe ai e ka pozicionuar veten në qendër të përpjekjeve globale për të kujtuar Holokaustin dhe për të luftuar antisemitizmin.
Por këto synime ndonjëherë bien ndesh me interesat e tjera kombëtare të saj. Rusia ka një prani ushtarake në Sirinë fqinje dhe Izraeli, i cili kryen sulme të shpeshta ndaj objektivave të armikut në vend, mbështetet tek Rusia për koordinimin e operacioneve të sigurisë atje. Kjo e ka detyruar Izraelin të tregohet më i kujdesshëm në kritikat e tij ndaj luftës në Ukrainë.
Ndërsa ka dërguar ndihma humanitare në Ukrainë dhe ka shprehur mbështetje për popullin e saj, Izraeli ka qenë i matur në kritikat e tij ndaj Rusisë dhe nuk i është bashkuar sanksioneve ndërkombëtare kundër Moskës. Kjo i hapi rrugën kryeministrit Naftali Bennett që të ishte në gjendje të bënte një përpjekej për të ndërmjetësuar mes Ukrainës dhe Rusisë.
Holokausti dhe manipulimi i vazhdueshëm i historisë së tij, gjatë luftës së tanishme të Rusisë në Ukrainë, ka ngjallur zemërim në Izrael.
Në një fjalim para ligjvënësve izraelitë në mars, presidenti Zelenskyy e krahasoi sulmin rus ndaj vendit të tij me veprimet e Gjermanisë naziste, duke akuzuar Putinin se po përpiqej t’i jepte një “goditje përfundimtare” Ukrainës. Ky krahasim nxiti një reagim të zemëruar nga Muzeu i Holokaustit “Yad Vashem”, i cili përmes një deklarate tha se Zelenskyy po nënvlerësonte Holokaustin./Zëri i Amerikës/AP