
Serbia dhe Rusia janë kërcënimet më të mëdha të stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, tha më 20 prill para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla.
“Serbia është kërcënimi më i madh për normalizim të raporteve dhe stabilitet në rajon”, tha Gërvalla.
Ajo tha se Kosova është pjesë e Perëndimit, “ndërkaq Serbia vazhdon të jetë satelit i Serbisë”, duke shtuar se sipas saj, kjo është arsyeja pse rajoni i Ballkanit Perëndimor vazhdon të jetë i paqëndrueshëm. Ajo tha se me armatosjen e vazhdueshme të Serbisë, të gjitha vendet e rajonit janë të kërcënuara nga Serbia, pasi tha se ky shtet ka një “ushtri që është e gatshme të sulmojë”.
Gjatë fjalimit të saj, Gërvalla po ashtu foli edhe për sulmet e fundit ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në afërsi të pikëkalimeve kufitare me Serbinë, duke i cilësuar si “terroriste” dhe duke fajësuar Beogradin se po lejon që ato të ndodhin.
“Sulmet po vijnë nga territori i Serbisë dhe ato do të ishin të pamundura nëse [presidenti i Serbisë, Aleksandar]Vuçiq nuk do t’i toleronte ato”, tha Gërvalla.
Kosova, sipas kryediplomates Gërvalla, është e gatshme për dialog me Serbinë, si mënyrë për të ecur përpara, por ajo tha se Serbia fillimisht duhet të “pranojë realitetin” se Kosova është shtet i pavarur, duke përsëritur kërkesën e Kosovës se ky proces, që ndërmjetësohet nga BE-ja, duhet të përfundojë me njohje reciproke./REL