I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, vlerësoi se kriza në Ukrainë do të ripërtërijë interesin evropian në rrugën reformuese të vendeve të rajonit drejt Bashkimit Evropian.
“Është krijuar një nivel i caktuar vizioni dhe uniteti, veçanërisht midis anëtarëve të NATO-s, gjë që na ka ndihmuar të kuptojmë se për çfarë bëhet fjalë në të vërtetë. Bëhet fjalë për mbrojtjen evropiane, për mbrojtjen e demokracisë dhe vlerave. Kështu që unë, midis partnerëve të mi evropianë shoh një nevojë të ripërtëritjes së qëllimit kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me vendet aspirante. Dhe kjo është arsyeja pse unë mendoj se do të ketë përpjekje të reja për t’i shtyrë ato vende të bëjnë reforma ndaj nevojës për anëtarësim të plotë”, tha Escobar.
Escobar është i ftuar në Forumin Kroato-Amerikan në Zagreb më 4-5 prill, i cili po mbahet për të shënuar 30-vjetorin e njohjes së Kroacisë nga Shtetet e Bashkuara, që ndodhi më 7 prill 1992.
Për më tepër, kriza e shkaktuar nga agresioni rus kundër Ukrainës, shtoi Escobar, ka ripërtërirë fokusin e Evropës në vendet kandidate të BE-së që shprehin në mënyrë proaktive solidaritetin e tyre me vlerat evropiane.
“Ju mund ta shihni këtë shumë qartë kur Bashkimi Evropian ishte shumë këmbëngulës dhe shumë i suksesshëm në votën e Serbisë në OKB për rezolutën që dënonte agresionin rus. Ishte një hap i rëndësishëm”, tha Escobar.
Sipas tij, ka sfida të mëdha në Bosnje dhe Hercegovinë, duhet të ketë përparim më të shpejtë në dialogun midis Serbisë dhe Kosovës kurse Mali i Zi, i cili është një mik i mirë i Shteteve të Bashkuara, ishte shumë i ndjeshëm ndaj ndikimeve keqdashëse./REL