
Një hetim i përbashkët midis Bellingcat dhe Insider, në bashkëpunim me Der Spiegel dhe CNN, ka zbuluar të dhëna voluminoze që implikojnë Shërbimin Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB) në helmimin e politikanit të shquar të opozitës ruse, Aleksei Navallni (Alexey Navalny). Për më tepër, helmimi i gushtit 2020 në qytetin siberian Tomsk duket se ka ndodhur pas një vëzhgimi disa vje çar, i cili filloi në vitin 2017 menjëherë pasi Navallni njoftoi fillimisht synimin e tij për të kandiduar për president të Rusisë. Gjatë gjithë vitit 2017, dhe përsëri më 2019 dhe 2020, operativët e FSB-së nga një njësi klandestine e specializuar për të punuar me substanca helmuese i erdhën nën hije Navallnit gjatë udhëtimeve të tij nëpër Rusi, duke udhëtuar së bashku me të në më shumë se 30 fluturime. Me gjasë ka pasur përpjekje të mëparshme për të helmuar Navallnin, duke përfshirë një në qytetin perëndimor rus të Kaliningradit vetëm një muaj para helmimit gati fatal me Noviçok (Novichok) në Siberi.
Ky hetim identifikoi tre operativë të FSB-së nga kjo njësi klandestine, të cilët udhëtuan së bashku me Navallnin në Novosibirsk dhe më pas e ndoqën atë në qytetin Tomsk, ku u helmua përfundimisht. Këta operativë, dy prej të cilëve udhëtuan me identitete të fshehta, janë Aleksei Aleksandrov (39), Ivan Osipov (44) – të dy mjekë – dhe Vladimir Panjaev (40). Këta tre mbështeteshin dhe mbikëqyreshin nga të paktën pesë operativë të tjerë të FSB-së, disa prej të cilëve udhëtuan gjithashtu në Omsk, ku Navalny ishte shtruar në spital. Anëtarët e njësisë komunikuan me njëri-tjetrin gjatë gjithë udhëtimit, e në mënyrë të shtuar pak para helmimit, si dhe gjatë natës kur Navallni u largua nga hoteli i tij dhe u nis drejtë aeroportit.
Gjatë këtij hetimi, Bellingcat dhe partnerët e tij zbuluan gjithashtu të dhëna që tregojnë për ekzistencën e një programi klandestin të armëve kimike me të cilat kanë operuar anëtarët e shërbimeve të brendshme të inteligjencës ruse (FSB). Si regjistrat e telefonit ashtu edhe të dhënat e punësimit tregojnë se ky program mbulohet nga një njësi e FSB-së, e ngarkuar zyrtarisht me kryerjen e hetimeve mjeko-ligjore të akteve terroriste dhe parandalimin e krimit të teknologjisë së lartë. Megjithatë, ndërsa kjo e fundit ka njëfarë aktiviteti të ligjshëm hetimor, një nga rolet kryesore sekrete ka qenë sigurimi i mbulimit për një nën-njësi klandestine që përfshin rreth 15 operativë me përvojë në luftërat kimike dhe biologjike, mjekësi dhe operacione speciale.
Kjo nën-njësi duket se i raporton një shkencëtari që ka punuar më parë në programin e armëve kimike ushtarake të Rusisë në Shikani, ku agjentët nervorë nga familja Noviçok u zhvilluan fillimisht dhe mbështetet nga një rrjet specialistësh të tjerë të armëve kimike.
Ky raport për herë të parë zbulon të dhëna që lidhin drejtpërdrejt helmimin e Navallnit në gusht 2020 me shërbimet e brendshme të sigurisë ruse. Ky hetim është veçanërisht i rëndësishëm për shkak të vakumit ligjor në të cilin asnjë vend tjetër përveç Rusisë – vendi i implikuar në tentativën e vrasjes – nuk ka ofruar juridiksionin e tij për një hetim zyrtar mbi helmimin gati fatal të Navallnit.
Një analizë gjithëpërfshirëse e të dhënave telefonike dhe të dhënave të udhëtimit të gjithsej 12 operativëve të FSB-së të lidhur me Institutin e Kriminalistikës paraqet një pamje të një objekti të specializuar të armëve kimike, që ka një profil të ngjashëm me atë të laboratorit të drejtuar nga KGB-ja e përshkruar nga ish-oficerët e KGB-së të epokës sovjetike.
Ky program mbikëqyret nga kolonel Stanislav Makshakov, një shkencëtar ushtarak i cili më parë ka punuar në Institutin Shtetëror të Sintezës Organike në qytetin e mbyllur ushtarak Shikhany-1, i njohur gjithashtu si njësia ushtarake 61469.
Makshakov raporton te gjenerali Kirill Vasilyev, drejtor i Institutit të Kriminalistikës së FSB-së. Kirill Vasilyev është në vartësi të gjeneral-majorit Vladimir Bogdanov, ish-shefi i Institutit të Kriminalistikës dhe aktualisht kreu i njësisë së tij mëmë, “Qendrës së Teknologjisë Speciale” të FSB-së. Ai është gjithashtu zëvendësdrejtor i Shërbimit të fuqishëm Shkencor-Teknik të FSB-së. Bogdanov raporton te Drejtori i FSB-së, Alexander Bortnikov, i cili, nga ana tjetër, i raporton Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.
Ky hetim i pavarur, është veçanërisht i rëndësishëm duke pasur parasysh se asnjë vend nuk ka ofruar juridiksionin e tij për të hetuar helmimin e Navallnit, një aktivist politik, bloger dhe ish-kandidat presidencial, me një armë kimike të ndaluar.