
Anëtari serb i Presidencës në Bosnje dhe Hercegovinë (BeH), Millorad Dodik tha se do të jetë në Moskë javën e ardhshme për të diskutuar të gjitha çështjet e rëndësishme lidhur me situatën aktuale politike në BeH.
Paralajmërimi i takimit të Dodikut me Putinin në Moskë vjen vetëm pak javë pas vizitës në Sarajevë të emisarit amerikan Gabriel Escobar. Pas atij takimi Dodik prezantoi një tërheqje radikale nga qasja e tij e mëhershme, duke menjanuar nga fjalori kërcënimët e mëparshme për ndarje të Bosnjës dhe mbështetje nga Rusia në rast të nevojës për luftë.
Dodik thotë se pret mirëkuptim nga Moska dhe se do të veprojë në mënyrë konsistente përmes sistemit të OKB-së si më parë, dhe se brenda organit të vetëshpallur imagjinar, të quajtur “Këshilli i Zbatimit të Paqes”, Rusia do të ketë rolin që ka pasur deri më tani.
“Kjo është e mjaftueshme për ne për ta forcuar atë pozicion dhe për të fituar bindje shtesë se Rusia është e gatshme të vazhdojë me të njëjtën politikë”, tha Dodik.
Sa i përket bashkëpunimit ekonomik, ai theksoi çështjen kyçe të ndërtimit të gazsjellësit nga Raça, gjegjësisht Bijeljina në Banja Luka, për të cilin ka marrëveshje që nga koha e Rrjedhës së Jugut me Gazpromin që ta ndërtojmë së bashku.
“Meqenëse po ndërtojmë një autostradë, është një mundësi e mirë për të ndjekur atë rrugë dhe për të ndërtuar një gazsjellës për në Banja Luka. Rusët tashmë na kanë konfirmuar se deri në fund të vitit çmimi i gazit që kemi do të jetë i ngjashëm me atë që ka Serbia”, tha Dodik dhe shtoi se do të përpiqet të marrë atë që ka marrë presidenti serb Aleksandar Vuçiq për disa muaj të ardhmen, deri sa tregu të stabilizohen.
Ai përmendi se në radhë është marrëveshja e nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Republikës Srpska dhe Gazprom-it, dhe kujtoi edhe në marrëveshjen e mëparshme për ndërtimin e dy termocentraleve të gazit në pjesën veriore të Srpskës.
“Dua ta rinovoj dhe forcoj atë marrëveshje”, theksoi Dodik.
Ai thotë se do të dëshironte që edhe Putini të vinte në Banja Luka dhe beson se edhe në kushtet e një pandemie, në atë qytet do të mblidheshin një masë e pamatshme e njerëzve për ta përshëndetur.
“Kam pasur një marrëveshje më parë me të, kështu që do të përpiqem ta konfirmoj përsëri. Ne po ndërtojmë një qendër ortodokse serbo-ruse në Banja Luka dhe një tempull që është një kopje e mirëfilltë e tempullit që ekzistonte në Kremlin. Më herët, kur ajo iniciativë ishte në fillimet e saj, i kërkova Presidentit Putin që kur të vijmë në shenjtërimin e atij tempulli, do të ishte mirë që edhe ai të ishte atje. Dhe ai tundi me kokë. Epo, për atë tundje me kokë, më duhet të konfirmoj nëse kjo do të ndodhë. Besoj se do ta finalizojmë ndërtimin në dy-tre vitet e ardhshme”, tha Dodik.
Ai tha se është gjithmonë i lumtur kur shkon në Rusi, sepse Putini pyet se si mund të ndihmojë, kurse Perëndimi menjëherë fillon të kërkojë.
Ai hodhi poshtë pretendimet nga perëndimi se iniciativat e tij zbatojnë vetëm një plan të hartuar në Serbi dhe Rusi, duke theksuar se Putini nuk i tha kurrë se duhet të kryejë një revolucion këtu, por të mbështesë integritetin territorial dhe rendin kushtetues të BeH, që do të thotë dy entitete. dhe tre popuj përbërës.
“Kur e ndan politikën dhe e redukton në nivel njerëzor, më vjen mirë që nuk jam njeriu i tyre, sepse thuhet se këtu nuk ka njerëz që vendosin me kokën e tyre, por duhet të kesh një tutor. Meqë nuk pajtohemi që tutori të jetë nga Britania apo Amerika, atëherë duhet të ketë një tutor tjetër, kështu që thonë se ai është Rusia”, deklaroi Dodik.
Dodik tha se është krenar që ka marrëdhënie të mira me Vuçiqin dhe Putinin, Viktor Orbanin dhe disa presidentë të tjerë, bashkëpunim të shkëlqyer me Kinën, dhe se mund të bashkëpunojë me njerëz nga Kroacia dhe Sllovenia.
“Rusia e trajtoi me shumë korrektësi të drejtën ndërkombëtare, në radhë të parë Marrëveshjen e Dejtonit, dhe mbeti konsistente në interpretimin dhe zbatimin e marrëveshjes. Kjo na mundësoi të luftojmë me këmbëngulje për të drejtat tona”, tha Dodik.
Ai kujtoi se Rusia e tërhoqi pëlqimin e saj për emërimin e Kristian Shmid (Christian Schmidt) si Përfaqësues i Lartë, dhe se kishte treguar vlera të larta parimore.
Ai beson se Vuçiq së fundmi ka arritur një sukses të madh në Rusi dhe ka mirëpritur suksesin e takimit për të siguruar një çmim të tillë për gazin në një kohë krejtësisht të paqëndrueshme në një kohë kur pritet konsum i lartë.