Hungaria do të përdorë veton e saj në institucionet e bashkimit Evropian (BE) ndaj çdo propozimi të mundshëm për sanksione ndaj anëtarit të presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Milorad Dodik.
Këtë e ka deklaruar ministri i jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, si reagim ndaj paralajmërimit të ministres së re të jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, se Dodik do të përballet me sanksione nëse vazhdon me politikën e tij që nxit ndarje të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Szijjarto reagimin e ka publikuar në profilin e tij zyrtar në Facebook, ku këtë qëndrim e ka arsyetuar me afërsinë gjeografike që ka Hungaria me Bosnjë e Hercegovinën.
“Ne jemi të shqetësuar për deklarata të tilla, sepse Bosnja dhe Hercegovina është afër nesh, ruajtja e stabilitetit dhe paqes në vend është interesi ynë bazë i sigurisë. Berlini është më larg, por jo aq larg sa të mos mund të fluturosh kurrë për në Banja Luka prej andej. Negocioni. Flisni me serbët. Me ta, jo për ta. Ndoshta kjo do t’ju ndihmojë të kuptoni situatën”, ka shkruar Szijarto.
Ndryshe, Dodik ka paralajmëruar se do të tërheqë serbët etnikë të Bosnjës e Hercegovinës nga institucionet e përbashkëta administrative, financiare dhe ushtarake, një hap që do ta shkëpuste Republika Serbskën nga federata boshnjake.
Para disa javësh, ndërkaq, portali The GEopost kishte shkruar se Szijjarto kishte marrë një dekoratë nga presidenti rus Vlladimir Putin. Në fakt, ai ishte nderuar nga i pari i Rusisë me “Urdhrin e Miqësisë, si mirënjohje për “kontributin e tij të madh në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimin industrial dhe investues”. Dekreti në fjalë u publikua në portalin zyrtar të informacionit ligjor të Rusisë.