
Mirko Okoliq ka dhënë pëlqimin, ministri Poxhiq e ka shakrkuar: Kompania Kosmos nga Banja Lluka synon të prezantojë hedhës për sistemin rus të raketave NEVA.
Sistemi raketor i mbrojtjes ajrore S-125M “Neva” është i destinuar për shkatërrimin e objektivave në hapësirën ajrore që fluturojnë në lartësi të ulëta dhe mesatare dhe shkatërrimin e objektivave në tokë dhe ujë që mund të vëzhgohen nga radarët, thuhet në faqen e internetit të ushtrisë serbe. Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, para fillimit të kësaj pune ka vizituar kompaninë Kosmos nga Banja Lluka.
Kompania e Banjallukës Kosmos, përndryshe e lidhur me Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Serbisë, synon të prezantojë tre raketahedhës për sistemin raketor rus NEVA-S125, ka mësuar Istraga. Në fillim të tetorit të këtij viti, ata kanë dorëzuar në Ministrinë e Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike të BeH një kërkesë për lëshimin e licencës së importit. Më pas, kjo Ministri ia ka përcjellur kërkesën e kompanisë Kosmos për vlerësim Ministrisë së Sigurisë së BeH, Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së BeH.
“Në fund të tetorit, zëvendësministri i mbrojtjes i BeH Mirko Okoliq (SNSD) përfitoi nga mungesa e ministrit Sifet Poxhiq dhe dha pëlqimin e tij për importin e kësaj pajisjeje ushtarake” ka thënë një burim në Ministrinë e Mbrojtjes së BeH.
Mirëpo, pas kthimit nga një udhëtim pune, ministri Poxhiq e revokoi pëlqimin e nënshkruar nga zëvendësi i tij Okoliq më 27 tetor të këtij viti.
“Në Rishikimin e Kërkesës për Lëshimin e Dokumentit të Tregtisë së Jashtme ka konstatuar mungesë të informacionit nga deklarata e përdoruesit të fundit të paraparë në Nenin 7, Paragrafi (2) të Ligjit për kontrollin e tregtisë së jashtme të armëve, pajisjeve ushtarake dhe mallrave për qëllime të veçanta. Neni i përmendur shprehimisht përcakton: Dokumentet te përdoruesi i fundit i përmendur në paragrafin 1 të këtij Neni duhet të përmbajnë, ndër të tjera: emrin e eksportuesit, emrin e përdoruesit të fundit dhe qëllimin përfundimtar, emrin e mallit, përshkrimin e mallit, sasinë, vlerën, vlefshmërinë e dokumentit dhe deklaratën se nuk do të kryhet rieksporti i mallit në fjalë pa pëlqimin paraprak me shkrim të institucionit kompetent të vendit origjinal eksportues. Meqenëse deklarata e përdoruesit të fundit nuk përcakton qëllimin përfundimtar të asetit në fjalë dhe duke qenë se është një import i përhershëm, jo i përkohshëm, Ministria e Mbrojtjes e BeH rezervon të drejtën të rivendosë të gjitha faktet e nevojshme për ripërcaktimin në lidhje me dhënien e pëlqimit për importimin e asetit në fjalë”, është shpjeguar në shkarkimin e nënshkruar nga ministri Sifet Poxhiq.
Sipas dokumentacionit që posedon redaksia, importues është kompania Kosmos a.d. Banjalluka. Origjinali është kompania BLKOSMOSRS d.o.o. Beograd, Republika e Serbisë. Përdoruesi i fundit është kompania Kosmos.
Siç mund të shihet nga dokumenti i mësipërm, Kosmos synonte të psjellë një “makinë ngarkimi dhe shkarkimi të raketave PR – 14AM” dhe tre baza lansimi 5P73.
Në kërkesën e saj për import, Kosmos deklaroi se, si përdorues i fundit, do të blejë furnizimin e automjeteve dhe tre pjesë të rampave të lëshimit “nga pajisja fillestare e “sistemit raketor S-125” NEVA me qëllim të remontit dhe duke e sjellë në gjendjen e duhur”. Në dokumentacion nuk thuhet fare se kush do t’i përdorë këto armë ushtarake dhe është e qartë se nuk bëhet fjalë për import “të përkohshëm”, por “import të përhershëm” në territorin e BeH, gjegjësisht në Republikën Srpska.
Sistemi raketor S-125 NEVA është një sistem pajisjesh kundërajrore i prodhuar në BRSS. Ushtria e Republikës së Serbisë e përdor prej vitesh.
Sistemi raketor i mbrojtjes ajrore S-125M “neva” është i destinuar për shkatërrimin e objektivave në hapësirën ajrore që fluturojnë në lartësi të ulëta dhe të mesme dhe shkatërrimin e objektivave në tokë dhe ujë që mund të vëzhgohen nga radarët. Me sistemin raketor “Neva” është e mundur të shkatërrohen objektivat në nisje dhe mbërritje në një distancë deri në 25 km dhe në një lartësi deri në 18 km. Shpejtësia maksimale e raketës është rreth 700 m / s.
“Është kryer një modernizim i pjesshëm i sistemit raketor “neva” – me qëllim të përmirësimit të karakteristikave teknike të sistemit – i cili ka arritur efikasitet më të lartë, mbrojtje më të mirë të shërbimeve luftarake dhe kursim të burimeve”, thuhet në faqen zyrtare të Ushtrisë Serbe.
Duhet theksuar se në mars të këtij viti ministri serb i Mbrojtjes Nebojsha Stefanoviq ka vizituar kompaninë Kosmos të Banja Llukës.
“Stefanoviq vlerësoi se ky bashkëpunim është i mirë, por se ka hapësirë për përmirësim të mëtejshëm. Në takim u biseduan për modalitetet e mundshme të bashkëpunimit në të ardhmen, të cilat, siç vlerësoi ministri Stefanoviq, do të ishin të rëndësishme për vazhdimin e pajisjes së ushtrisë serbe, dhe në të njëjtën kohë për zhvillimin e mëtutjeshëm të kësaj kompanie”, thuhet në ueb faqen e Serbisë, pas vizitës së Stefanoviqit në kompaninë Kosmos në Banja Llukë.
A. Avdiq – bashkëpunëtor i The Geopost nga Sarajeva