
Simboli i luftës ruse, shkronja “Z” konsiderohet si një nga asociacionet e para të luftës në Ukrainë. Ekzistojnë disa teori për kuptimin e këtij simboli, ndërsa disa besojnë se ushtria ruse e përdor atë si shenjë njohjeje në terren, të tjerë pretendojnë se është një simbol i pushtimit dhe një shenjë e mbështetjes për agresionin rus në Ukrainë.
Nitja dhe mbështetja e agresionit, si dhe shfaqja e këtij simboli sipas ligjeve në Serbi, është e qartë se nuk është e dënueshme.
Që nga fillimi i pushtimit rus, në disa qytete të Serbisë janë organizuar protesta në mbështetje të agresionit rus, duke vënë në pah simbolin “Z”, i cili asnjëherë nuk u dënua nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, por edhe Prokuroria heshti.
Ambasada e Ukrainës në Beograd njoftoi më 29 mars se presin që autoritetet në Serbi të heqin shenjën “Z”, e cila ishte shkruar në vende të ndryshme. Ata deklaruan se simboli i përmendur për ukrainasit do të thotë “Vras një ukrainas”.
Shenjat e simbolit “Z” mund të shiheshin në protestat e organizuara nga grupet ultra të djathta në Serbi në mbështetje të pushtimit rus të Ukrainës.
Pjesëmarrësit në protestën kundër NATO-s dhe mbështetjen për pushtimin rus të Ukrainës u mblodhën në qendër të Beogradit javën e kaluar me ftesë të grupit të ekstremit të djathtë “Patrulla e Popullit”.
Organizuar nga grupi i krahut të djathtë “Patrola e Popullit”, më 13 mars në Beograd u mbajt një tubim proteste në mbështetje të pushtimit rus të Ukrainës, kur disa dhjetëra automjete të shënuara “Z” dhe flamujt serb dhe rus qarkulluan nëpër rrugët e qytetit.
Po ashtu, për këtë protestë nuk ka reaguar askush nga kryesia shtetërore e Serbisë.
Ukraina u ka bërë vazhdimisht thirrje vendeve që të kriminalizojnë përdorimin e simbolit “Z”.
Tre shtete federale gjermane – Berlini, Bavaria dhe Saksonia e Ulët – kanë njoftuar tashmë se kushdo që promovon simbolin mund të përballet me tre vjet burg. Ministria e Brendshme gjermane paralajmëroi se ata që tregojnë simbolin për të “mbështetur” pushtimin mund “të jenë subjekt i ndjekjes penale”.
Ministri i Jashtëm ukrainas Dmitry Kuleba u bëri thirrje vendeve të tjera që të ndjekin gjurmët e Gjermanisë.
“Z” do të thotë krime ruse të luftës, qytete të bombarduara, mijëra ukrainas të vrarë”, shkroi Kuleba në Twitter.
“Mbështetja publike për këtë barbarizëm duhet të ndalohet”, shtoi ai./The Geopost