Në Ballkanin Perëndimor, Serbia është vendi ku Rusia ka ndikimin më të madh, duke e shtrirë atë nëpërmjet fushave të ndryshme.
Sipas një hulumtimi të realizuar nga Dr.Rumena Filipova, jo vetëm elita politike por edhe populli në Serbi përkrahin idenë së Serbia dhe Rusia duhet të kenë raport të mirë me njëra-tjetrën.
Shumica e qytetarëve serb (rreth 90% prej tyre) nuk kanë qenë ndonjëherë në Rusi, por i kanë krijuar oponionet e tyre mbi atë vend duke u bazuar në informacione të marra nga mediet.
“Sondazhet e opinionit publik tregojnë se qytetarët serbë mbajnë një qëndrim kryesisht pozitiv ndaj Rusisë. Kjo përkundër faktit se shumica e serbëve nuk kanë qenë kurrë në Rusi (rreth 90% e të anketuarve deklaruan se është kështu) dhe shumica e tyre mbështeten në medie pro-qeveritare për t’u informuar për çështjet që lidhen me Rusinë.
Prandaj, pjesa më e madhe e pikëpamjeve të popullsisë serbe për Kremlinin janë formësuar nga narrativat e promovuara nga elita politike që është në pushtet në Serbi. Shumica e qytetarëve serbë (92%) besojnë se Serbia duhet të ketë marrëdhënie të ngushta me Rusinë. Numri më i madh i serbëve (mbi 80%) e konsiderojnë Rusinë mik të Serbisë.”
Duke u bazuar në këto statistika, përkrahja dhe admirimi që populli serb ka ndaj Rusisë, është kryesisht rezultat i pasqyrimit që i bëhet asaj në mediet vendore.
“Gjurma (pronësia) e drejtpërdrejtë e medies ruse në Serbi është e ulët. Mediet më të njohura ruse në Serbi janë degët Sputnik dhe RT. Megjithatë, gazetat dhe kanalet televizive pro-qeveritare shpesh marrin raporte drejtpërdrejt nga RT dhe Sputnik, ose përdorin mediet ruse si burimin e tyre kryesor të informacionit mbi ngjarjet botërore dhe lidhjet dypalëshe me Rusinë. Kjo e fundit është veçanërisht e vlefshme në lidhje me diskutimet ndërkombëtare për statusin e Kosovës. Mbështetja e Kremlinit për kauzën e Serbisë në Kosovë dhe mosnjohja e Rusisë për pavarësinë e Kosovës ka qenë gur themeli i imazhit pozitiv të Rusisë dhe mjeteve të forta politike në Serbi në historinë e fundit.”, thuhet në këtë hulumtim.
Ndonësë vetëm 3 mediume, të cilat nuk janë edhe aq të njohura në Serbi, janë në pronësi të rusëve, ndikimi rus në mediet vendore është jashtëzakonisht i madh.
“Sipas bazave të të dhënave të korporatave ndërkombëtare, vetëm tre kompani që operojnë në sektorin e medieve serbe janë në pronësi të drejtpërdrejtë të shtetasve rusë ose subjekteve ruse:
Ruski Ekspres AD është një kompani agjencie lajmesh me një qarkullim shumë të vogël, asete të kufizuara dhe pa prani si burim informacioni për medie të tjera;
Veb Portali është një kompani që pretendon të merret me krijimin e prezantimeve në internet, por rezulton se është joaktive;
SPN Media Solutions merret me regjistrimin dhe publikimin e zërit, duke pasur një qarkullim më të madh (mbi 3 milionë dollarë në vitet 2017 dhe 2016).”
Siç mund të vihet re në këto statistika, përfshirja direkte e subjekteve ruse në fushën e medies në Serbi është e vogël, por për këtë, mediet vendore japin kontributin e tyre.
Shumë medie në Serbi janë të përfshira dhe të përkushtuara që të shtrijnë ndikimin rus në vend.
Në hulumtimin e Dr.Filipovës, listohen disa nga mediet vendore të cilat përhapin ndikimin dhe propagandën ruse.
“ Sputnik Serbia është një nga dy mediet kryesore ruse në Serbi që funksionon në gjuhën serbe dhe është botim lokal i agjencisë shtetërore ruse të lajmeve Sputnik.
Informer është publikuar nga Insider Group DOO, një kompani në pronësi të Dragan Vuçiqeviq, një ish-gazetar i disa tabloideve, duke përfshirë Nacional Serb, Kurir dhe Press. Sipas Vuçiqeviqit, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe vëllai i presidentit janë miq të tij personal.
Vecernje Novosti u cilësua si gazeta e parë e përditshme e njohur në vend me origjinën e saj në ish-Jugosllavi. Ndryshe nga Informer, Novosti nuk ka qenë subjekt i polemikave të pazgjidhura apo procedurave ligjore për shpifje dhe raportime të njëanshme. Ai është në pronësi të shtetit dhe redaktori kryesor i tij është Milorad Vuçeliq, një ish-zyrtar i profilit të lartë në regjimin e Slobodan Millosheviçit dhe një nga drejtorët e Radio Televizionit të Serbisë gjatë asaj kohe.”
Qasja e këtyre medieve konfirmon faktin se Rusia shtrin ndikimin e saj në Ballkan nëpërmjet Serbisë.