
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov mashtroi publikun duke u përpjekur të barazojë aneksimin e dhunshëm nga Rusia të gadishullit ukrainas të Krimesë në vitin 2014 me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, derisa akuzoi Perëndimin dhe OKB-në për “standarde të dyfishta”.
Çfarë tha Lavrov?
Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov, në një takim me përfaqësues të organizatave joqeveritare tha se të gjitha “telashet, problemet, krizat nuk kanë të bëjnë me faktin se OKB-ja ‘nuk po e përballon’, siç thonë disa, por për faktin se Karta e OKB-së nuk zbatohet ose, nëse zbatohet, bëhet në mënyrë të njëanshme”, raporton RT Balkan. “Perëndimi zgjedh si nga një menu. Në një rast, parimin e mbrojtjes së sovranitetit, siç bëri duke refuzuar të njohë një referendum absolutisht transparent në Krime, dhe në rastin tjetër, ai udhëhiqet nga parimi i një kombi të vetëvendosjes, siç ishte rasti me Kosovën. Perëndimi tha se kjo është e drejtë e popullit, e shkruar në Kartën e OKB-së”.
Analiza:
Sergej Lavrov i shmanget qëllimisht përmendjes se si u krye aneksimi i Krimesë. Në mëngjesin e hershëm të 27 shkurtit 2014, burra të armatosur rëndë me uniforma jeshile, pa shenja të dallueshme, hynë në parlamentin rajonal në Simferopol, dhe ngritën flamurin rus në majë të ndërtesës”, ka shkruar Radio Evropa e Lirë. Ndërtesa u pushtua një ditë pasi protestuesit pro-rusë dhe anti-rusë u përleshën para saj për dëbimin e presidentit ukrainas dhe mikut të Kremlinit, Viktor Janukoviç, i cili ishte arratisur nga Kievi disa ditë më parë. Komandot e maskuar me uniforma të ngjashme pushtuan gadishullin gjatë dy javëve të ardhshme, duke rrethuar bazat ushtarake ukrainase dhe duke kapur njësi të tjera strategjike. U bë e qartë për shumë në terren se ata ishin ushtarë rusë. Këtë e ka deklaruar njëri prej tyre publikisht.
Por pavarësisht indikacioneve të qarta se këto forca – ose “burrat e vegjël të gjelbër”, siç janë njohur – janë dërguar nga Rusia, vendi ka filluar një fushatë mohimi dhe fshehjeje për rolin e tij në aneksimin e Krimesë në mars 2014. Kremlini pretendoi se nuk ishin ushtarët e tyre ata që hynë atje, por “ishin njësi lokale të vetëmbrojtjes”. Gazetari i Bloomberg që bëri pyetjen vuri në dukje se personat e armatosur kishin veshur “uniforma që i ngjanin shumë uniformave ushtarake ruse”. Putini u përgjigj: “Shikoni vendet post-sovjetike. Ka shumë uniforma të ngjashme. Mund të shkoni në një dyqan dhe të blini çdo uniformë.” Në të njëjtën ditë, gazetarët ukrainas publikuan një video në YouTube në të cilën një nga komandot në Krime i thotë vetes dhe kolegëve të tij: “Ne jemi rusë”.
I pyetur për videon në të cilën personat e armatosur në Krime thonë se janë rusë, ministri i Mbrojtjes i Putinit, Sergei Shoigu, tha: “Absurditet i plotë”. Ndërkohë, në një konferencë për shtyp në Madrid, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, së bashku me kolegun e tij spanjoll, deklaroi se “forcat pro-ruse” në Krime nuk marrin urdhra nga Moska dhe se ushtria në bazën detare ruse në portin e Krimesë, Sevastopoli mbetet aty ku është. Pas disa javësh mohimi, Rusia gradualisht ndryshoi historinë e saj pas referendumit secesionist të mbajtur në Krime më 16 mars 2014. Referendumi u refuzua si i paligjshëm nga 100 anëtarë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Në anën tjetër, pavarësia e Kosovës erdhi pas një fushate shumëvjeçare të vrasjeve, aparteidit të regjimit serb kundër shqiptarëve në Kosovë dhe më vonë luftës dhe persekutimit të civilëve. Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare, në Kosovë janë regjistruar 13.535 viktima të luftës.
Diplomati finlandez dhe i dërguari special i OKB-së në atë kohë, Marti Ahtisari, rekomandoi pavarësinë e Kosovës në vitin 1999 nën mbikëqyrjen e bashkësisë ndërkombëtare. NATO-ja bombardoi Serbinë atë vit sepse regjimi në Beograd iu përgjigj me forcë të tepruar në vitin 1998 revoltës shqiptare të shkaktuar nga dhjetë vjet aparteid. Në paaftësinë e tij për t’u përballur me situatën, regjimi në Beograd iu drejtua asaj që kishte përvojë në planifikimin e gjenocidit. Për të parandaluar atë që nuk e penguan në Bosnje, liderët e vendeve të NATO-s, nën presionin e opinionit, kërcënuan Millosheviqin me ndërhyrje ushtarake.
Millosheviqi mendoi se po bënin bllof dhe nisi një sulm. Më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës miratoi me aklamacion Deklaratën për Pavarësinë e Kosovës. Të 109 deputetët shqiptarë votuan pro deklaratës. Duke qenë se e gjithë kjo u miratua në përputhje me planin e Ahtisaarit, parashihej që pavarësia e Kosovës të mbikëqyrej nga një mision i Bashkimit Evropian./G.Venhari- The Geopost/