
Shoqëria në Bosnje e Hercegovinë jeton mes dy bindjeve .
Në njërën anë, janë qytetarët që përkrahin integrimin e këtij shteti në NATO dhe BE, kurse në anën tjetër janë ata që e kundërshtojnë këtë.
Rrjedhimisht, duke e kundërshtuar NATO-n, ajo pjesë e qytetarëve të Bosnjës pranon dhe mirëpret ndikimin rus në vend.
Sipas një raporti të realizuar nga Dr.Rumena Filipova ( kryetare dhe bashkëthemeluese në Institutin “Global Analytics”) , një përqindje e madhe e qytetarevë të Bosnjës tregojnë përkrahje të vazhdueshme për integrimin në NATO.
“Një shumicë e qytetarëve të BeH tregojnë mbështetje të vazhdueshme për integrimin në NATO. Megjithatë, edhe opozita ka qëndruar e lartë (afër 40%). Mbështetja për NATO-n në vitin 2020 arriti në 57%. Për më tepër, 38% e popullsisë në vitin 2019 thanë se anëtarësimi i plotë në NATO do t’i shërbente më së miri të ardhmes së BeH. Në vitin 2020, jo vetëm që kjo përqindje u rrit në 48%, por edhe numri i atyre që mendojnë se BiH nuk duhet të ketë asnjë marrëdhënie me NATO-n” u ul (nga 23% në 20%).”
Duke u bazuar në këto statistika, Rusia bën ç’të mundet që të shtrijë ndikimin e saj në Bosnje e Hercegovinë.
Një nga fushat kryesore, cak i ndikimit rus në vend, janë mediet.
Ndikimi rus në Bosnje e Hercegovinë shtrihet nga Republika Srpska (RS), e cila funksionon me direktiva të Serbisë.
“Ndikimi mediatik i Rusisë në BeH është i përqendruar në RS. Në vend që të angazhohet për pronësinë e drejtpërdrejtë në medie, Rusia mbështetet në përkrahjen e saj politike dhe ekonomike për presidentin që shërbën që një kohë të gjatë në RS, Milorad Dodik. Dodik, në këmbim, ushtron kontroll mbi mediet lokale nëpërmjet sulmeve ligjore të motivuara politikisht kundër medieve kritike dhe financimit selektiv për ato që janë besnike.”, thuhet në raport.
Në disa medie në BeH, specifikisht në RS, mund të shihen e të dëgjohen shpesh narrativa pro-ruse. Këto medie janë kryesisht ato që i shërbejnë politikave dhe ideologjive përçarëse e malinje.
“Edicioni serb i Sputnik përfaqëson një medie që është në pronësi të drejtpërdrejtë të Kremlinit. Si rezultat i ngjashmërive gjuhësore midis vendeve të këtij rajoni, lajmet në internet dhe emisionet radiofonike të edicionit serb të Sputnikut konsumohen lirisht në Bosnje dhe Hercegovinë.
RTRS është media më me ndikim në Republika Srpska (RS). Lidhjet politike të këtij mediumi me Rusinë reflektohen në marrëdhëniet e ngushta midis qeverisë së RS-së dhe Rusisë, d.m.th., Dodik dhe Putin.
Glas Srpske nuk tregon asnjë provë të lidhjeve të drejtpërdrejta, as politike dhe as financiare, me Rusinë. Megjithatë, media është në pronësi të Nezavisne Novine, një gazetë e Zheljko Kopanjës, i cili konsiderohet të jetë një aleat i ngushtë i Millorad Dodikut dhe partisë në pushtet, SNSD.”
Statisikat e lartëcekura nga raporti i Dr.Filipovës, tregojnë qartë veshtirësitë me të cilat përballet shoqëria boshnjake (për sa i përket presionit pro-rus), pavarëisht së shumë prej tyre kanë një bindje euroatlantike.