Dy liderët politikë, të cilët janë aleatët më të ngushtë të presidentit rus, Vladimir Putin, korrën fitore bindëse në zgjedhjet e mbajtura më 3 prill. Kryeministri hungarez Viktor Orban shkoi lehtësisht drejt fitores kundër një koalicioni të kundërshtarëve politikë dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç fitoi mandatin e tij të dytë me pothuajse 60 për qind të votave.
Edhe pse pjesa më e madhe e Bashkimit Evropian dhe e botës e kanë dënuar agresionin rus në Ukrainë, këto fitore sugjerojnë që popujt e atyre vendeve vazhdojnë të mbështesin liderët nacionalistë që janë të lidhur ngushtë me Kremlinin.
Në zgjedhjet në Hungari dhe Serbi, vlerësohet se partitë e djathta në favor të Vladimir Putinit e forcuan pushtetin e tyre me disa aleatë të rinj të ekstremit të djathtë, pjesërisht falë sistemeve joliberale që ata ndërtuan vetëm për veten e tyre.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq u mburr për lidhjet personale me Putinin, u takua me të para pushtimit rus të Ukrainës, u mburr se kishte arritur marrëveshje të rëndësishme me presidentin rus dhe diskutoi gjithashtu temën e fundit në takimin e tyre të fundit, çmimet që është në favor të Vuçiqit sepse vizita e tij në Rusi ishte e lidhur me zgjedhjet.
Vuçiq, kandidati i Partisë Progresive Serbe (SNS), por edhe ish-ministri i Informacionit në qeverinë jugosllave të Sllobodan Millosheviqit, njëherit president aktual i Serbisë, fitoi raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale me 58.65 për qind të votave, njoftoi Komisioni Republikan i Zgjedhjeve.
SNS fitoi bindshëm shumicën e votave në zgjedhjet parlamentare, por për herë të parë nuk ka shumicën në Kuvend, ndaj do të bëjë koalicion ose me partnerët aktualë Partinë Socialiste të Serbisë dhe Serbinë e Bashkuar ose me një të partive të pakicës, në radhë të parë Unionin e Hungarezëve të Vojvodinës.Opozita dhe vëzhguesit e pavarur përmendën një sërë parregullsish dhe incidentesh në lidhje me votimin, duke përfshirë dhunën.
Në të njëjtën ditë, kryeministri hungarez Viktor Orbán, i cili kaloi 12 vjet duke konsoliduar pushtetin e tij dhe duke u përplasur me Bashkimin Evropian për vlerat demokratike, fitoi një mandat të katërt radhazi në një fitore bindëse ndaj një aleance të gjerë opozitare.
Orban, i cili bëri thirrje për paqe në Ukrainë, përdori gjithashtu fjalimin e tij të fitores për ta quajtur presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky “një kundërshtar” të Hungarisë.
Gjatë 12 viteve të tij në pushtet, politika e Orbanit ishte shpesh kundër politikës së Bashkimit Evropian, ndërsa ai gjithnjë e më shumë e ktheu politikën e tij drejt Putinit dhe Kremlinit. Ai ka ndërtuar lidhje të mira me autokratë në vitet e fundit, si presidenti rus Vladimir Putin dhe lideri kinez Xi Jinping, duke hedhur poshtë parimet liberal-demokratike të Perëndimit dhe BE-së.
Partia Fidesz e Orbanit ka 135 vende në Parlamentin hungarez nga 199 gjithsej, gjë që do t’i lejojë asaj të ndryshojë çdo ligj, përfshirë Kushtetutën, pa mbështetjen e opozitës. Mund të inkurajojë gjithashtu kryeministrin në betejat e tij me BE-në.
Të shtunën, në prag të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të 3 prillit në Serbi, kryeministri hungarez Viktor Orban mbështeti presidentin serb duke ardhur në hapjen e hekurudhës së rinovuar të shpejtësisë së lartë Beograd-Novi Sad dhe tha se do të “bënte shumë gjëra më fantastike” me Vuçiqin.
Siç pritej, presidenti rus Vladimir Putin ishte ndër liderët e parë botërorë që uroi Vuçiqin dhe Orbanin për fitoren e zgjedhjeve./The Geopost